Me teknologjinë e sotme është e tepërt të mendosh për një kolonizim ndëryjor nga ana e njeriut, por me pak përmirësim kjo edhe mund të arrihet.
Cameron Smith, historian dhe antropologjist në Universitetin e Portlandit në Shtetet e Bashkuara deklaron se njeriu mund të jetë gati për ndërmarrjen e një misioni të tillë vetëm kur të ndërtojë një qytet fluturues në gjendje të mbajë 40 mijë persona në bord dhe të udhëtojë me shpejtësi të paktën 1600 kilometra në orë.
Dr. Smith thotë se ky ëshë kombinimi i vetëm i mundshëm për të arritur në sistemin më të afërt me sistemin tonë diellor. Ky sistem është Proxima Centauri, i cili ndodhet 4.24 vite dritë larg. 40 mijë persona në bordin e qytetit fluturues të ndarë në gjysma meshkuj dhe gjysma femra të aftë për riprodhim, do të siguronin vazhdimësinë në udhëtimin, që për studiuesin amerikan zgjat 150 vite dhe më pas në planetin e kolonizuar.
“Ndërtimi i anijeve për udhëtimet ndëryjore kërkon plotësimin e disa kushteve. I pari është ndërtimi i një eko-sistemit të mbyllur, vendosja e një popullsie të caktuar që do të kalojë gjithë jetën e vet në këtë ekosistem dhe shpejtësia minimale me të cilën do të udhëtojë mjeti”, thotë Smith.
Studiuesi amerikan shton se propozimet për vendosjen e disa-qindra personave në një udhëtim të tillë kaq të gjatë janë të paqendrueshme duke patur parasysh natyrën e vertebrorëve.
Ai argumenton qëndrimin e tij duke thënë se historia ka treguar se në momentin që zbresin nën 7 mijë individë, vertebrorët zhduken ndaj saktëson se vendosja e një popullsie prej 40 mijë individësh në udhëtimin ndëryjor është numri ideal për të garantuar një udhëtim 150-vjeçar dhe trashëgimi prej pesë brezash të aftë për të nisur një jetë të re në planetin e kolonizuar.
Top Channel