“Play off”-et e NBA-së, Indiana kryeson ndaj Clevelandit

21/04/2018 13:06

Indiana rimerr kryesimin ndaj Clevelandit në përballljet me këtë skuadër për fazën e “play-off”-eve në NBA.

“Pacers”-at fituan sfidën e tretë me nënkampionët e NBA-së, me rezultatin 92-90, për ta çuar në 2-1 serinë e ndeshjeve me ta. Për Clevelandin, si gjithnjë u dallua LeBron James me 28 pikë e 12 topa në tabelë, ndërkohë që Kevin Love u ndal në kuotën e 19 pikëve.

Clevelandi udhëhoqi rezultatin në këtë takim nga fillimi e deri në mesin e periodës së fundit, madje arriti të krijojë edhe një avantazh prej 17 pikësh. Por, Indiana u kundërpërgjigj dhe përmbysi gjithçka falë edhe paraqitjes së jashtëzakonshme të Bogdan Bogdanoviç, me kroatin që u tregua i saktë në 4 gjuajtje për 3 pikë, duke e mbyllur sfidën me 30 pikë në total, 15 nga të cilat i shënoi në vetëm 7 minuta.

Washington Wizards frenoi Toronton, duke e mundur 122-103, duke e shkurtuar diferencën në serinë e sfidave me kanadezët në 2-1. Në “Capital One Arena”, Washingtoni zhvilloi një lojë të mirë ndaj kanadezëve, edhe pse këta të fundit krijuan një avantazh kundrejt “Wizards” në fillimin e përballjes.

Rezultati i pjesshëm 32-21 në periodën e tretë ishte ai që vendosi gjithçka për “Wizards”, që e mbyllën takimin me 19 pikë diferencë, duke i rihapur llogaritë në këtë seri. Për Toronton, DeRozan shënoi 23 pikë, 4 më shumë se Loëry, që u frenua në kuotën e 19 pikëve. Ndërsa suksesi i Washingtonit ishte më shumë falë Beal e Wall, më të mirët në parket për këtë skuadër. Beal shënoi 28 pikë, ndërsa Wall e mbylli sfidën me 28 pikë e 14 asiste.

Shembullin e Washingtonit e ndoqi edhe Milwaukee Bucks, që rihyri në lojë në përballjet me Bostonin, duke e mundur këtë të fundit në ndeshjen e tretë me rezultatin 116-92, për ta shkurtuar në 2-1 serinë së përplasjeve me skuadrën nga Massachusets.

Perioda e parë u mbyll 27-12 për Milwaukeen, që la të kuptohej se mbrëmja do të ishte e gjitha për Bucks, që nuk kishin aspak ndërmend të frenoheshin në lojën e tyre. Middleton ishte shënuesi më i mirë për Milwaukeen, me 23 pikë, ndërkohë që te Bostoni, që gjithsesi i bëri përpjekjet në këtë përballje, spikatën Horford, Tatum e Monroe, që shënuan respektivisht 16, 14 dhe 15 pikë.

Top Channel