Policia e konfirmon një ditë më pas: Kastriot Gjuzi është arrestuar

20/04/2018 10:26
Autori i dyshuar, Kastriot Gjuzi

Një ditë pasi lajmi u konfirmua jozyrtarisht, policia e Tiranës bën të ditur se Kastriot Gjuzi është kapur në kufirin jeshil nga autoritetet kosovare.

“Shkëmbimi i informacionit në kohë reale mes Policisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës si dhe falë gatishmërisë së Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar, çoi në kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit M. M”, thotë policia një ditë më pas.

Kastriot Gjuzi, 40 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, është autori i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit Mario Majollari.

“Shtetasi i mësipërm me qëllim shmangien e hetimeve ndaj tij kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin jeshil në “Republikën e Kosovës”, ku dhe u kap nga Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës në DVP Tiranë në bashkepunim me Prokurorinë u bë ndalimi i shtetasit të lartpërmendur”, njofton policia e Tiranës.

Ndaj Gjuzit rëndojnë akuzat e vrasjes për gjakmarrje dhe amrëmbajtje pa leje.

Top Channel