Arsenali duket “i gatshëm” të nxjerrë në shitje Granit Xhakën dhe Shkodran Mustafin, duke i zëvendësuar ato me dy talente të divizionit më inferior, Championship.
Dyshja me origjinë shqiptare ka qenë nën pritshmëritë këtë sezon, e nuk janë ngjitur asnjëherë në nivelin e lojtarëve të klasit botëror, siç kishte shpresuar Arsene Wenger.
Sipas “Mirror”, “topçinjtë” duan t’i zëvendësojnë ata me James Maddison të Norwichit dhe Ryan Fredericks të Fulhamit.
21-vjeçari Maddison ka lënë mbresa me ekipin “Canaries” këtë sezon, ndërsa 25-vjeçari Fredericks ka ndihmuar Fulhamin drejt një marshimi befasues drejt vendeve të kreut të Championshipit.
I pari ka një klauzolë prej 30 milionë paund, teksa mesfushori ka shënuar 14 gola këtë sezon. “The Cottagers” (Fulham) mund të jenë kundërshtarë të Arsenalit vitin e ardhshëm, nëse vijojnë me marshimin drejt vendeve që të promovojnë drejtpërdrejt në elitën e futbollit anglez, Premier League, por aktualisht mbeten në vendet e “play off”-it.
Mustafi është kritikuar për mungesën e agresivitetit gjatë këtij sezoni për “topçinjtë”, veçanërisht pasi u mposhtën nga Newcastle. Ndërkohë, lojtari i përfaqësueses zvicerane, Xhaka është kritikuar gjithashtu pasi tifozët e Arsenalit prisnin që ai të ishte një prej mesfushorëve më të mirë të Europës.
Por, të dy ata nuk kanë treguar nivelin e pritshëm, teksa klubi londinez rrezikon të mos marrë pjesë në Champions League vitin e ardhshëm, me përjashtim të faktit nëse shpallen kampionë të Europa League sivjet.
Top Channel