Donald Trump ka ndërmend të çohet nga tryeza e bisedimeve me Kim Jong-unin e të dalë jashtë nga dhoma, nëse ato nuk do të jenë të frytshme.
Në një konferencë të përbashkët me kreun e ekzekutivit japonez, Shinzo Abe, Trump u shpreh se mbi udhëheqësin koreano-verior duhet ushtruar maksimumi i presionit për sa i takon çarmatimit atomik.
Një ditë më parë, vet shefi i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi udhëtimin e fshehtë të kreut të CIA-s, Mike Pompeo, në Penian më herët gjatë muajit, për një takim me Kim Jong-unin.
Pompeo, siç pohoi Trump, krijoi një marrëdhënie mjaft të mirë me udhëheqësin e vendit komunist, të cilin deri para disa muajsh presidenti amerikan e quante “njeriu i vogël raketë”.
Vizita e shefit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës përbën kontaktin e nivelit më të larte mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, që prej vitit 2000.
Takimi i Trumpit me Kim Jong-unin pritet të mbahet në qershor. Detajet e tij ende nuk janë zbardhur, por CNN rendit disa vende të ndryshme ku kjo përballje mund të ndodhë, duke nisur me Gjenevën, Bangkokun, Helsinkin, Singaporin, Stokholmin, Pragën, Ulanbatorin e Mongolisë, e duke përfunduar me një anije në det në ujëra ndërkombëtare.
Top Channel