Sezoni i këtij viti në Formulën 1 sapo ka filluar, megjithatë një seri ndryshimesh në rregullore janë shpallur që tani për sezonin pasardhës.
Komisioni i F1-shit është takuar me grupin e strategjive të këtij sporti gjatë së martës, për të diskutuar mbi të ardhmen, pak pasi është takuar edhe me 10 skuderitë pjesëmarrëse.
Mes ndryshimeve përmendim rregullat për penalizimin e pilotëve më të rëndë dhe rritjen e sasisë së karburantit në njëvendëshet e tyre, sikurse edhe përfshirja e teknologjive “high tech” në dorezat e pilotëve.
Garat e Formulës 1 po monitorohen nga një numër i lartë mjekësh dhe infermierësh, me ambulancat dhe helikopterët gjithnjë në gatishmëri, gjithsesi dispozitat për monitorimin e shëndetit të pilotëve teksa garojnë me makinat, përveç monitorimit të rrahjeve të zemrës, deri tani kanë munguar.
Tashmë, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka njoftuar se të gjithë pilotët e F1-shit do të mbajnë të veshura në duar doreza që do të transmetojnë të dhëna, përfshi këtu matjen e rrahjeve të pulsit dhe nivelin e oksigjenit në gjak, pikërisht nga piloti tek ekipi mjekësor gjatë Çmimeve të Mëdha.
Dorezat e prodhuara nga FIA përfshijnë një sensor të lidhur me pëlhurën që do të monitorojë pilotin përpara, gjatë dhe pas një përplasjeje. Kjo do të jetë veçanërisht e përdorshme, në rastet kur ndihma e shpejtë nuk mundet të shkojë menjëherë te piloti i përfshirë në aksident, për shkak të vendndodhjes së makinës apo nëse mbetet i bllokuar mes rrënojave, duke u lejuar ekipeve mjekësore që të vlerësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë peshën e dëmtimeve që ka pësuar ai.
Dorezat në fjalë janë përdorur gjatë testeve të vitit 2017, por tashmë do të jenë të përdorshme edhe gjatë garave. Gjithashtu planifikohet që përmes tyre të kontrollohet edhe temperatura dhe norma e frymëmarrjes në një të ardhme të afërt.
Vitin e kaluar, një mjek i deleguar nga FIA, Ian Roberts tha për “Auto Magazine” se “monitorimi i pilotëve është thelbësor sa i përket kujdesit shëndetësor ndaj tyre”.
“Pilotët e përfshirë në incidente nuk mund të bëjnë përjashtim nga të tjerët. Kështu që duhet të nisim monitorimin dhe vlerësimin e situatave të tyre sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht se pajisjet që zotërojmë aktualisht janë relativisht të pamjaftueshme, pasi mund të na japin të dhëna vetëm pasi ka ndodhur aksidenti”, shprehej ai.
“Ka raste gjithashtu, kur një pilot nuk mund të arrihet me shpejtësi nga ne, kështu që nuk mund të kujdesemi për të e nuk mund të sigurojmë informacione të mjaftueshme për shkak të kufizueshmërisë”, shtonte më tej ai.
Në rregullat e reja do të ketë një parandalim të penalizimeve të pilotëve të rëndë në peshë, siç ndodh aktualisht me rregullat ekzistuese, pasi pesha e tyre kontribuon drejtpërdrejt në limitet e përgjithshme të automjetit.
Ky është një avantazh për pilotët më të lehtë, të cilët përdornin metoda të posaçme (duke përdorur çakull) për të kapur peshën minimale (734 kg për vitin 2018) për të përmirësuar sipas kësaj strategjie balancat e makinës.
Gjithsesi, për vitin 2019, pesha minimale për pilotët do të jetë 80 kg, e nëse ata janë më të lehtë sesa kaq, atëherë anët e sediljes së tyre do të mbushen me çakull. Edhe sasia e karburantit që u lejohet në njëvendëshe do të rritet nga 100 kg në 105 kg, gjë që shpresohet të pengojë pilotët të kalojnë shumë kohë për të ruajtur sasinë e karburantit, në vend që të përpiqen të garojnë më shpejt për të parakaluar kundërshtarët.
F1 ka njoftuar edhe ndryshime sa i përket modifikimeve të motorëve për vitin 2021, kur do të përdoren motorët hibridë turbo V6 prej 1.6 litrash, për të rritur besueshmërinë.
Top Channel