Barazimi ndaj Torinos eklipsoi edhe shpresat e fundit të Milanit se mund të rikthehej sezonin e ardhshëm në Champions League, e tani, kuqezinjtë duhet të shikojnë pas krahëve për të mos humbur edhe objektivin minimal, që është Europa League.
Milionat e shpenzuara nga aksionerët kinezë nuk dhanë rezultatet e pritshme, ndaj formacioni i Gattusos është i thirrur “nën armë”, për të mbrojtur vendin e 6 nga sulmet e Atalantës, Fiorentinës e Sampdorias.
Dy janë biletat në garat kontinentale për 4 pretendentë. Trajneri i Milanit, i shqetësuar së fundmi nga dëmtimet e Bonuccit, Biglias e Calhanoglusë do të luajë mundësitë për Europa Leaguen në betejat e drejtpërdrejta me bergamaskët dhe toskanët, në dy javët e fundit.
Gjithsesi mbeten 15 pikë në lojë për të ravijëzuar renditjen e Serie A, në një luftë që mbetet e hapur deri në fund. Tre do të jenë ekipet italiane që do të kualifikohen për kupën më të vogël kontinentale, vendi i 5 dhe i 6 në kampionat, si dhe fituesi i Kupës së Italisë. Në rast fitoreje nga Juvja, në Europë shkon dhe e shtata e renditur në Serie A.
Milani ka kështu dy mundësi për të mos dështuar në takimin me Europa Leaguen: Të fitojë trofeun e Kupës ndaj Juventusit, ose të jetë brenda pikëvarazhit në Serie A.
Me kalendarin e afërt, Milani mund të hipotekojë kualifikimin duke fituar 3 garat ndaj Beneventos, Bolognas dhe Veronës. Por, lufta për titullin, Championsin dhe Europa Leaguen do të kryqëzohen kaq shumë në këtë fundsezoni, duke e bërë çdo parashikim të pavlefshëm.
Një detaj i vogël, por jo pak domethënës, është publikimi nga klubi kuqezi në faqet zyrtare të rrjeteve sociale i datave të miqësoreve në kuadrin e turneve verorë ndaj Manchester United, Tottenhamit dhe Barcelonës, gjë që të bën të dyshosh se kuqezinjtë tashmë, pa Champions nuk duan as Europa League.
Top Channel