Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo krijoi një marrëdhënie të mirë me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un gjatë takimit me të javën e kaluar.
Duke konfirmuar raportimet mediatike për një takim të fshehtë mes të dyve në Penian, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump tha në rrjetin social Tëitter se takimi kishte shkuar shumë mirë.
Vizita e palajmëruar shënon kontaktin e nivelit më të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, që prej vitit 2000 kur Sekretarja e atëhershme e shtetit Madelin Ollbrajt takoi Kim Jong il, babain e liderit aktual në Penian.
Ajo paraparin takimin që pritet të zhvillohet mes dy liderve në muajin qershor, e për të cilin Trump është shprehur optimist.
“Detajet e takimit po shqyrtohen. Denuklearizimi do të jetë një gjë e madhe për botën, por edhe për Korenë e Veriut”, thotë Donald Trump.
Lajmi se shefi i CIA-s kishte udhëtuar drejt shtetit komunist për një përballje klandestine me diktatorin korean u raportua fillimisht nga Washington Post të martën.
Vizita u zhvillua pasi Pompeo u zgjodh si pasues i Rex Tillerson në postin e Sekretarisht të Shtetit. Shumë pak dihet për bisedimet përveçse ato kanë pasur si qëllim përgatitjen e takimit Trump, Kim Jong Un. Koreja e Jugut po ashtu ka sinjalizuar se mund të kërkojë zgjidhjen zyrtare të konfliktit në gadishull. Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in dhe Kim Jong un pritet të takohen në fund të prillit.
SHBA nuk ka marrëdhënie diplomatike me Korenë e Veriut, edhe pse diplomatët e kanë vizituar në të shkuarën dhe ka edhe disa të ashtuquajtura kanale mbështetëse që përdoren për të komunikuar me Penianin.
Top Channel