Vazhdon momenti i artë për Toronto Raptors në kampionatin e NBA që ka hyrë në fazën e playoffit.

Skuadra kanadeze fitoi edhe ndeshjen e dytë ndaj Washingtonit 130-119 për të marrë kryesimin e serisë së sfidave në 2-0. Në Air Canada Center, Toronto e mori shumë shpejt kryesimin teksa e mbylli periodën e parë 44-27, ndërsa në të dytën mendoi që të qëndrojë në udhëheqje të rezultatit.

Pas pushimit të ndeshjes, Washingtoni u përpoq që të rihyjë në lojë, por Toronto në 12 minutëshin e fundit i mbylli të gjitha llogaritë. Për Washingtonin nuk mjaftuan 29 pikët e Wall dhe 20 të Scott për të barazuar situatën me Toronton me këtë të fundit që pati DeRozan në një ditë të shkëlqyer duke qenë se ai e mbylli sfidën me 37 pikë.

Boston arrin të fitojë ndaj Milwaukeet dhe pa Kyrie Irving. 120-106 ishte rezultati i ndeshjes së dytë mes Celtics dhe Bucks në favor të skuadrës nga Massachusets e cila tani kryeson 2-0. Bostoni e mbylli periodën e parë me një avantazh prej 11 pikësh, 33-22. Milwaukee pati një reagim vetëm në periodën e dytë të kësaj sfide. Pas pushimit të ndeshjes gjithçka foli për Bostonin që shënoi një tjetër fitore në këtë fazë të playoffit në NBA. Për Celtics, Horford me 23 pikë, Brown me 16 dhe tatum me 30 pikë ishin më të mirët në parket duke bërë që Milwaukee ta kishte të pamundur që të ndryshonte verdiktin e sfidës.

New Orleans shfaqet sërish superiore ndaj Portland. Skuadra e Pelicans fitoi edhe ndeshjen e dytë ndaj Trailblazers me rezultatin 111-102 dhe tani është përpara në serinë e ndeshjeve 2-0. Perioda e parë ishte e ekuilibruar dhe u mbyll me një avantazh të lehtë të New Orleansit 25-23. në fraksionin e dytë, ishte Portland që krijoi një shkëputje kundrejt Pelicans duke e mbyllur atë 36-29.

Pas pushimit të sfidës, u pa një rënie në lojën e Portland nga e cila përfitoi Neë Orleans që krijoi një avantazh prek 14 pikësh 33-19 duke marrë në këtë mënyrë edhe kryesimin në rezultatin e përgjithshëm të sfidës. Në 12 minutëshin e fundit, New Orleans nuk bëri gjë tjetër veçse administroi këtë kryesim duke e mbyllur edhe këtë takim në favorin e tij.

Top Channel