Nga 90 persona të kallëzuar gjithsej në Prokurori për shit-blerjen e votës gjatë zgjedhjeve të 2015, 60 janë ende nën hetim, ndërsa Prokuroria dërgoi për gjykim vetëm 7 persona.
Një raport i publikuar nga organizatat e shoqërisë civile, ku u monitorua puna e institucioneve që u angazhuan në luftën ndaj shit-blerjes së votës, del në përfundimin e se ato dështuan të frenojnë fenomenin.
Të dhënat e publikuara nga dhoma zgjedhore dhe Infocip, nxjerrin në pah një mosrakordim total midis institucioneve ligjzbatuese.
“Ministrat teknikë kanë bërë kallëzim të rremë përderisa procedimet e tyre janë pushuar. Duket se policia dhe ministri i Brendshëm nuk kanë qenë në sinkron me njëri-tjetrin. Ministri i Brendshëm thotë për 400 raste që ja ka referuar policia e shtetit, ndërkohë që kjo e fundit i ka marrë 70 raste ministrit për t’ja referuar Prokurorisë”, thotë Gerti Shella, drejtor i Infoçip.
Raporti ngre shumë pikëpyetje mbi të gjitha për angazhimin e prokurorisë gjatë këtij procesi.
“Ose partitë, ministri i Brendshëm dhe Policia kanë shpërdoruar të drejtën e tyre për të bërë kallëzime të penale për krim zgjedhor, ose prokuroria ka shpërdorur detyrimin e saj për të hetuar materialet që i janë vënë në dispozicion dhe që janë hapur procedime penale”, shton Shella.
Për ish kreun e KQZ Kristaq Kume, zgjedhjet e një viti më parë janë një dëshmi e fortë mbi të cilën Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të ndryshojë sistemin zgjedhor.
“Të bëhet sa më mirë e mundshme barazia e fuqisë konvertuese të votës. Per zgjidhjen e këtij problemi është e nevojshme, ndoshta që të shkohet deri në trajtimin e problemit të sistemit zgjedhor”, këshillon Kume.
Top Channel