Koni-Kule në prokurori, Krimet e Rënda nisin hetimet për shpërdorim detyre

18/04/2018 15:15

“Ka ndryshuar arena e përplasjeve mes profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, të konflikuar dy muaj më parë në qarqet e arsimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet për dy njerëzit e botës akademike për veprat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Rektori Mynyr Koni dhe dekani i ekonomikut Dhori Kule pritet ta kalojnë sërish pragun e godinës së qelqtë, pa u mbushur viti nga prezenca e tyre si dëshmitarë në procesin ndaj të pandehurit Emiliano Shullazi.

Kësaj radhe dy profesorët që dikur ishin miq dhe mbështetës të njëri-tjetrit janë përballë për një dosje tjetër që është hapur nga prokurorët e Krimeve të Rënda mbi dyshimet e korrupsionit, për mënyrën se si janë zhvilluar tenderat.

Një burim i tha Top Channel se pas kallëzimeve të dorëzuara pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda po verifikohen tenderat e zhvilluar jo vetëm gjatë kohës kur në krye të rektoratit gjendet profesori Koni, por edhe tenderat në periudhën e drejtimit nga ish rektori Kule, aktualisht dekan i ekonomikut.

Më herët dy profesorët u shfaqën publikisht në luftë të hapur me njëri-tjetrin pas akuzave dhe kundër akuza, madje duke përdorur si argument edhe pezullimin nga detyra të kancelarit.

Për shkak të sekretit hetimor, prokuroria nuk jep detaje për zhvillimin e hetimeve. Ajo që dihet është se Kule ka qenë një nga mbështetësit e Konit për të marrë drejtimin e rektoratit, një garë gjatë të cilës nisën hetimet për kërcënimin e Mynyr Konit nga Emiliano Shullazi.

Por gjatë hetimeve dhe më pas, të dy profesorët , edhe në gjykatë u tërhoqën nga ky qendrim duke treguar se nuk e njihnin më se kush ishte Emiliano Shullazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA