Kreu i Partisë Lëvizja Nacionaliste në Turqi, Devlet Bahçeli, bëri thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më 26 gusht të këtij viti.

“Duhet të dihet se MHP kërkon zgjedhje të parakohshme pas miratimit të ligjeve rregulluese”, tha Bahçeli në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu.

“Shkuarja e popullit turk në zgjedhje më 26 gusht të vitit 2018, ditë e diel, pra, në përvjetorin e Fitores së Malazgirtit dhe Ofensivës së Madhe, me një frymë të re të fitores; përgjigja e merituar që do t’i jepet armiqve në zgjedhje edhe presidenciale, edhe parlamentare, është rruga më e arsyeshme, më e logjikshme, më racionale dhe më demokratike”, tha Bahçeli.

Ndërkaq, presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i pyetur në lidhje me këtë thirrje nga gazetarët para një mbledhjeje të grupit parlamentar të partisë së tij në Ankara, tha se nesër do të zhvillojë takim me liderin e MHP-së, Bahçeli.

Më 16 prill 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

Zgjedhjet e njëkohshme parlamentare dhe presidenciale për mandatin pesëvjeçar në pajtim me ndryshimet e reja kushtetuese janë planifikuar të mbahen në nëntor të vitit 2019.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA