Sondazhi për emigrantët, europianët mbivlerësojnë numrin e tyre

17/04/2018 19:31

Sa emigrantë jetojnë në vendin tuaj? Kjo është pyetja e një sondazhi që iu është drejtuar shumë shtetasve europianë, për të zbuluar se shumica dërrmuese e kontinentit beson se në vendet e tyre ka tej mase më shumë emigrantë, se ç’janë në të vërtetë.

Italianët janë ata që kanë gabuar më shumë në BE, duke mbivlerësuar numrin e emigrantëve. Sipas sondazhit të “Eurobarometër”, italianët besojnë se çereku i popullsisë së vendit ka lindur jashtë Italisë.

Në fakt, shifrat zyrtare tregojnë se vjet, popullsia e emigrantëve në Itali ishte vetëm 7% e totalit.

Analistët thonë se italianët nuk mund të fajësohen plotësisht që gabojnë me shifrën e emigrantëve kaq shumë, pasi vendi i tyre prej vitesh është në pararojë të përballjes me krizën e emigrantëve, e së fundmi sapo la pas një fushatë kontradiktore zgjedhore, ku emigracioni dhe fryrja e tij ishin padyshim çështje kyçe.

Megjithatë, në përgjithësi sondazhi doli në përfundimin se europianët mbivlerësojnë me mesatarisht 9.5% popullsinë e emigrantëve në vendet e tyre.

Estonia ishte përjashtimi i vetëm që uli mesataren e mbivlerësimit, pasi estonezët besojnë se në vendin e tyre ka më pak emigrantë sesa në të vërtetë.

Të anketuarit nga vende si Portugalia, Spanja, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Belgjika e të tjerë e mbivlerësuan me të paktën 10% numrin e emigrantëve në vend.

Sondazhi konsideroi përgjigjet e rreth 20 mijë njerëzve në të gjithë Europën dhe më të saktët ishin ata nga Kroacia dhe Suedia, që kishin informacione të detajuara për emigrantët dhe popullsitë respektive.

Top Channel