Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka kërkuar evropianëve t’i bëjnë ballë autoritarizmit në rritje dhe të riangazhohen ndaj demokracisë.
“Unë nuk dua t’i përkas një gjenerate të përgjumur që ka harruar të shkuarën e saj. Unë dua t’i përkas një gjenerate që zgjedh të mbrojë demokracinë e vet”, tha Macron.
Në Parlamentin Europian, një vit pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, Macron mbajti një fjalim pasionant, e më pas edhe debatoi me ligjvënësit për të ardhmen e unionit.
Ai paralajmëroi se duket sikur ka nisur një luftë civile europiane, ku nacionalizmi dhe egoizmi prevalon mbi gjithçka.
Ai dënoi atë që e quajti mendjembyllësi. Fjalimi i tij parashtroi vizionin që Macron ka për rinovimin e bllokut europian, në një kohë kur po rritet nacionalizmi në kontinent.
Ligjvënësit europianë e duartrokitën Macron kur ai tha se demokracia është një fjalë me kuptim që lindi nga betejat e të shkuarës.
Top Channel