Para një pamjeje të pazakontë janë ndodhur ekspertët që kanë kryer autopsinë e një balene gjigante, të cilën e ka nxjerrë deti të ngordhur disa ditë më parë në brigjet e ishullit grek të Santorinit.

Brenda barkut të saj, ata kanë gjetur 30 kg qese plastike, sasi e cila ka shkaktuar edhe vdekjen.

Gjitari i detit, me gjatësi 9 metra, ka pësuar shok gastrit në stomak dhe zorrë, pasi ka gëlltitur një sasi kaq të madhe qesesh plastike.

Organizmi nuk ka mundur t’i nxjerrë ato nga sistemi i tretjes dhe kjo ka shkaktuar peritonit.

Ky është rasti i dytë brenda dy muajsh, pas atij në Spanjën jugore, që ka sjellë vdekjen e balenave nga qeset plastike që përfundojnë në det, një nga rreziqet më të mëdha dhe kërcënimet me të cilat ballafaqohet ekosistemi detar.

Nuk është rastësi, që shumica e kafshëve tashmë ngordhin për shkak të mbetjeve njerëzore në mjedisin ku jetojnë, sesa për shkak të ndryshimeve klimatike.

Imazhe të tilla janë me të vërtetë tronditëse dhe pasqyrojnë madhësinë e një problemi që ende nuk po merret seriozisht, pavarësisht përpjekjeve.

Çdo vit, mijëra breshka deti, balena dhe specie të tjera detare humbin jetën nga objektet plastike, si rezultat i mungesës së të ashtuquajturës ndërgjegje ekologjike te shumica e njerëzve.

Ekologët i kanë rënë edhe njëherë kambanës së alarmit, duke paralajmëruar se mbeturinat detare dhe veçanërisht ato plastike janë problemi më i rëndësishëm mjedisor për shekullin e XXI, ndërsa vet njeriu edhe njëherë po provon se është bashkëpunëtor dhe përgjegjës për vrasjen e gjitarëve të rrallë të detit.

Top Channel