Kanadaja ka vendosur të tërheqë trupën diplomatike, bashkë me familjarët e tyre, nga kryeqyteti i Kubës, Havana. Ky vendim ka ardhur pasi një pjesë e tyre kanë shfaqur çrregullime të ndryshme, që dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një sulmi me valë ultrasonike.
Mjekët në Kanada kanë dalluar simptoma të çuditshme te 10 prej të prekurve, që janë kryesisht pjesëtarë të stafit të ambasadës kanadeze në Havana, por mes tyre ka edhe të mitur.
Ata thonë se te këta pacientë dallohet një lloj i ri i dëmtimit të trurit, ndërsa simptomat variojnë nga traumat e lehta të trurit, humbja e dëgjimit, e deri në marrje mendsh apo të përzierat.
Për të njëjtën arsye, Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën trupën e vet diplomatike që në fund të muajit shtator, të vitit të kaluar, ndërsa paralajmëroi shtetasit amerikanë që të tregojnë kujdes dhe të shmangin udhëtimet në në Kuba.
Ministri i Jashtëm kuban e cilësoi këtë veprim të amerikanëve si një manipulim politik, që synon të dëmtojë sërish marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa pas këtij rasti të dytë, ende nuk ka një reagim zyrtar.
Vlen të theksohet se Kanadaja ka trupën diplomatike në Kubë prej më shumë se 70 vitesh dhe nuk i shkëputi marrëdhëniet me këtë shtet, as pas revolucionit kuban, të udhëhequr nga Fidel Castro më 1959-ën.
Top Channel