Pas vetëm një sezoni në Kategorinë e Parë, Tirana arriti të sigurojë të shtunën rikthimin në Superiore, ndonëse 3 javë nga fundi i kampionatit. Për të folur mbi këtë, por edhe për planet mbi sezonin e ardhshëm, kapiteni i bardhebluve, Erando Karabeci ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport.
“Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që ia arritëm qëllimit, të rikthehemi menjëherë në Kategorinë Superiore. Tani duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë makth dhe të mendojmë për rikthimin, pasi do të synojmë të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze, që i shkon për shtat fanellës së Tiranës”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës ai foli edhe rreth të ardhmes së trajnerit aktual të Tiranës, brazilianin Ze Maria.
“Ai do të ulet me presidentin dhe do të diskutojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët, pasi si trajneri, edhe presidenti kanë pretendimet e tyre për të vijuar bashkëpunimin. Nga ana ime personale, por edhe e djemve të skuadrës, do të donim të vijonim, pasi kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me të. Ze Maria është një trajner shumë I aftë, por edhe shumë me eksperiencë, ndaj do të donim të vazhdonim, pasi ai mund ta drejtojë Tiranën drejt sukseseve. Gjithsesi varet edhe nga pretendimet e tij dhe sa I gatshëm është presidenti që t’ia plotësojë”, tha Erando Karabeci.
Top Channel