Nëpërmjet golave dhe lojës së tij të shkëlqyer, Neymar e ka drejtuar Paris Saint-Germain drejt fitimit të titullit kampion në Francë, sukses që u zyrtarizua matematikisht mbrëmjen e së dielës pas goleadës 7-1 ndaj Monacos (deri dje kampione në fuqi), përpara se të ndalej për shkak të një dëmtimi në këmbë.
Por, pyetja që ngrenë të gjithë, tifozë të Parisit apo sportdashës, është gjithçka tjetër pa lidhje me futbollin. Ku ishte dje në mbrëmje Neymar, teksa skuadra e tij festonte rikthimin te titulli kampion në Ligue 1?
Përgjigjja ka ardhur prej vet talentit brazilian, përmes një “stories” në llogarinë e tij personale në “Instagram”. Në foton e publikuar aty, në plan të parë shihet një kompjuter ku shihet qartë se ai po luante poker.
Për këdo që nuk e di, braziliani “O Ney” është i apasionuar marrëzisht pas pokerit, e njëkohësisht edhe imazhi i “Poker Stars”.
Por, veç kompjuterit shihej gjithashtu në sfond edhe ndeshja që po luhej në “Parc des Princes”, në një ekran televizori.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ish-futbollisti i Santosit dhe Barcelonës, gjithnjë përmes rrjetit social, raportoi edhe “gëzimin” e tij për titullin në Ligue 1.
“Do të doja të isha aty me ju, komplimente!”, do të shkruante ai. A është ky një sinjal “lamtumire” në prag të merkatos verore?
Top Channel