Një deklaratë e fundit e kryeministrit turk ka tensionuar përsëri marrëdhëniet greko-turke, duke thelluar më tepër krizën e madhe të krijuar kohët e fundit midis dy fqinjëve.
Sipas Binali Yildirim, komandot turke kanë hequr një flamur grek, që e kishin vendosur disa ditë më parë 3 të rinj grekë në disa prej ishujve të pabanuar të Egjeut, përkatësinë territoriale të të cilëve vë në dyshim Turqia.
“Këshilla jonë për Greqinë është që të qëndrojë larg provokimeve që rrisin tensionet mes dy vendeve, e Athina duhet ta dijë se ne nuk bëjmë kompromis me sovranitetin e vendit tonë”, ka thënë kryeministri turk.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu ka deklaruar se, nëse do të jetë e nevojshme, komandot turke do ta heqin përsëri flamurin grek.
Cavusoglu i është referuar përsëri Traktatit të Lozanës, duke theksuar se sipas tij, për shumë prej ishujve të Egjeut pranë Turqisë nuk ka përcaktim se kujt i përkasin dhe se të dyja vendet nuk duhet të prishin marrëdhëniet e tyre për hir të një njeriu, siç është ministri grek i Mbrojtjes.
Nga ana e saj, Athina zyrtare ka përgënjeshtruar faktin që komandot turke kanë shkuar në ishujt shkëmborë “Mikros Anthropofas” dhe kanë hequr flamurin grek.
“Nuk ka asnjë shkelje deri tani të territorit grek”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë, duke shtuar se Greqia nuk do të pranojë kurrë teorinë e zonave gri, me anë të së cilës Ankaraja vë në dyshim përkatësinë e disa ishujve grekë të Egjeut.
Edhe kryebashkiaku i Furnos, zonës në të cilën bëjnë pjesë ishujt në fjalë, ka deklaruar se flamuri grek valëvitet atje ashtu si dhe më parë.
Top Channel