Inspektorët e Organizatës ndërkombëtare për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) nuk po mund të hyjnë në zonat e kontrolluara nga Rusia dhe regjimi sirian në qytezën e Doumës, ku do të përpiqen të gjejnë prova për sulmin e supozuar kimik të 7 prillit.
Sulmi la të vdekur dhjetëra vetë dhe detyroi fuqitë perëndimore të nisnin bombardimet ajrore të shtunën. E megjithatë, Rusia vazhdon të këmbëngulë se nuk po ndërhyn në punën e inspektorëve.
Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, kryediplomati rus mohoi sërish akuzat për përdorimin e armëve kimike në Douma.
“Nuk mund të tregohem i pasjellshëm me krerët e shteteve të tjera, por ju përmendët udhëheqësit e Francës, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, e për të qenë i sinqertë, të gjitha provat që ata cituan bazoheshin në raportime mediatike dhe rrjetesh sociale”, tha Sergei Lavrov.
Sipas tij, 2/3-tat e më shumë se 100 raketave të lëshuara të shtunën në Siri nuk kishin arritur të qëllonin shënjestrat e tyre.
Ministri i Jashtëm rus paralajmëroi se Moska dhe Perëndimi po përballeshin me një situtatë më të rëndë sesa gjatë Luftës së Ftohtë, për shkak të mungesës së kanaleve të komunikimit.
Ministrat e Jashtëm europianë u mblodhën të hënën për të diskutuar mbi situatën në Siri, duke dënuar edhe njëherë përdorimin e armëve kimike.
Kryediplomati britanik, Boris Johnson tha se mësymja ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por paralajmëroi mbi mundësinë e hakmarrjes së Rusisë. Ai u shpreh se Londra duhet të marrë çdo masë të nevojshme për t’u mbrojtur nga një kundërsulm i Moskës.
Ndërkohë, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini theksoi nevojën për një dialog të udhëhequr nga OKB-ja. Ajo i bëri thirrje Rusisë dhe Iranit të përdorin ndikimin e tyre te presidenti sirian, Bashar al-Assad, për të “filluar diskutime serioze dhe kuptimplota nën kujdesin e OKB-së, në Gjenevë”.
Top Channel