Drejt “Rusi 2018”, Pelè: Neymarit i uroj fatin tim! Brazili mund t’ia dalë

16/04/2018 17:35

“Neymar do të jetë në Botërorin e Rusisë, madje do të jetë në formë optimale sepse dëmtimi i tij nuk është i rëndë”.

Legjenda e futbollit brazilian, Pelè nuk ka as më të voglin dyshim, e pret me padurim të shohë talentin e jashtëzakonshëm që militon aktualisht në radhët e PSG-së të ndihmojë kombëtaren “Selecao” për të lënë pas krahëve turneun traumatik të vitit 2014, të zhvilluar në vendin e Sambas.

“Sigurisht që është shumë i rëndësishëm për Brazilin, s’ka dyshim për këtë – vazhdon legjenda “O Rey”. – I uroj të njëjtin fat që kam pasur unë kur luaja nëpër kampionate botërore. Brazili mund t’ia dalë mbanë”.

“Mendoj se Neymar do të jetë në formë për Kupën e Botës, sepse dëmtimi nuk është edhe aq i rëndë”, vijon më tej ish-numri 10 i Brazilit.

Neymar, futbollisti më i shtrenjtë në botë (u pagua 222 mln euro nga PSG për t’ia rrëmbyer Barçës), është ndalur që prej 25 shkurtit kur pësoi një dëmtim në këmbën e djathtë në një ndeshje të kampionatit francez kundër Marsejës.

Javën e kaluar, ai deklaroi se ishte ende duke marrë veten pas ndërhyrjes kirurgjikale, por pret që të jetë në formë të mirë dhe në kohën e duhur për Botërorin që pritet të zhvillohet nga 14 qershori deri më 15 korrik.

Legjenda 77-vjeçare e Brazilit ishte i pranishëm në një ndeshje miqësore në Dubai, kur, teksa fliste për “AFP”-në, i uronte Neymarit të kishte të njëjtin fat që ka pasur edhe ai kur luante futboll.

“Dëshiroj me dëshpërim që Brazili të shpallet kampion bote, por futbolli të dhuron gjithmonë surpriza”, shton më tej Pelè, i cili ka fituar plot 3 herë Botërorin me “Selecao”-n. “Kam besim, sepse kemi lojtarë të shkëlqyer që luajnë në Europë. Problemi tani është t’i shohim teksa luajnë bashkë, por mendoj se kemi një kombëtare shumë të mirë. Kam besim gjithashtu edhe për shkak të Tite, trajnerit të ri të Brazilit, i cili ka pasur kohën e mjaftueshme për të përgatitur grupin më së miri”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA