Mbrëmjen e kësaj të diele, futbolli italian do të jetë i fokusuar tërësisht në derbin e kryeqytetit mes Lazios dhe Romës, një sfidë që vlen një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Skuadrat e kryeqytetit italian vijnë në këtë përballje me gjendje krejtësisht të ndryshme shpirtërore.
Verdhekuqtë janë ende euforikë për përmbysjen e madhe ndaj Barcelonës, teksa e mposhtën 3-0 në Champions, duke siguruar kualifikimin për në gjysmëfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë.
Ndërsa Lazio vjen pas eliminimit të papritur nga Salzburgu në Europa League, pasi u mund 4-1 në ndeshjen e kthimit, duke e bërë të pavlefshme fitoren 4-2 të ndeshjes së parë.
Plot 55 mijë tifozë pritet të jenë në “Olimpico” për këtë derbi, që konsiderohet me vlerë të dyfishtë nga lacialët.
Vet trajneri Inzaghi është shprehur se, skuadra e tij do të bëjë një ndeshje të madhe ndaj Romës për të harruar eliminimin nga Europa League.
Në krahun tjetër, te verdhekuqtë, trajneri Di Francesco kërkoi një kufizim të euforisë së tifozerisë dhe lojtarëve, duke thënë se sfida me Lazion ka një vlerë të dyfishtë: së pari sepse është një ndeshje derbi, e së dyti sepse është thelbësore për kampionatin.
Kur flitet për derbin mes Lazios e Romës është e pamundur të evitohen diskutimet në lidhje me sigurinë, duke parë precedentët e së kaluarës. Për këtë arsye, ditët e fundit kuestori Marino zhvilloi një sërë takimesh me drejtuesit e Romës dhe Lazios për një pasqyrim të situatës. Objektivi është garantimi i sportivitetit dhe korrektesës, në një nga ndeshjet më të ndjera e të ndezura të sezonit.
Top Channel