Prodhuesit e mëdhenj të automjeteve janë akuzuar për vonesa në hedhjen në treg të modeleve të reja hibride dhe elektrike, në mënyrë që të sigurohen të marrin sa më shumë fitime nga automjetet e vjetra që sot e kësaj dite janë ende në vitrinat e salloneve të mëdha.
Në një raport të publikuar nga grupi i ambientalistëve “Transport & Environment” thuhet se, pothuajse të gjithë prodhuesit do të jenë në rrugën e duhur drejt përmbushjes së objektivave për reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit deri në vitin 2021, të vendosura nga Bashkimi Europian, përmes nxjerrjes në treg të një serie modelesh të reja premtuese.
Gjithsesi, aty theksohet se këto automjete të reja duhej të ishin nxjerrë në shitje tashmë, por prodhuesit akuzohen se po presin të shesin sa më shumë mjete të vjetra të munden, veçanërisht ato me naftë, përpara se të sjellin valën e re të versioneve me karikim.
“T&E” njofton se shumica e markave, me përjashtim të FIAT-it, janë drejt përmbushjes së objektivit brenda vitit 2021, që kërkon nga prodhuesit kryesorë të kenë një mesatare emetimesh në të gjithë gamën e automjeteve të tyre prej 95 gramë dioksid karboni për kilometër.
Ky objektiv emetimi do të përmbushet vetëm nëse nxirren në shitje edhe modelet elektrike, por grupi i ambientalistëve thekson se prodhuesit po “shfrytëzojnë elasticitetin e rregullave” për të vonuar sa më shumë shitjen e tyre, duke i lënë të apasionuarit pas automjeteve ende me mundësi të kufizuara zgjedhjeje mes makinave elektrike.
Top Channel