Kinë, avioni ndërron destinacion për shkak të një…stilolapsi

15/04/2018 10:28

Një fluturim i “Air China” me destinacion Pekinin bëri një ulje të paparashikuar në qytetin qendror të Zhengzhout, këtë të dielë, pasi një pasagjer kërcënoi një pjesëtar ekuipazhi me një stilolaps.

Lajmi konfirmohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të vendit, që përmes faqes së internetit njoftoi se një pasagjer mashkull në fluturimin “1350”, i cili nuk identifikohet në deklaratë, u përpoq të përdorte stilolapsin për të mbajtur “nën presion” anëtarin e ekuipazhit.

Pasagjerët dhe ekuipazhi gjithsesi dolën të palënduar nga ky incident, ndërsa deklarata nuk jep detaje të mëtejshme.

Avioni ishte ngritur në fluturim nga Changsha, kryeqytet i provincës jugore të Hunanit, rreth orës 8:40 me atë lokale, e pritej të mbërrinte në Aeroportin ndërkombëtar të Pekinit rreth orës 11:00.

Por, ai bëri një ndalesë të paprogramuar në Aeroportin ndërkombëtar “Xinzheng” të Zhengzhout, në provincën e Henanit, në orën 9:58.

“Air China” njoftoi se avioni bëri uljen e detyrueshme “për shkaqe të sigurisë së publikut” dhe se policia dhe autoritetet e aviacionit po menaxhojnë tashmë situatën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA