Pakujdesia e një mjeku kishte ndryshuar rrjedhën e jetës së Irenës, protagonistes së radhës në programin “Dua të të bëj të lumtur”.
Gjatë lindjes, mjeku i kishte tërhequr njërën këmbë më shumë se tjetrën. Në momentin kur ajo kishte filluar të hidhte hapat e para defekti që kishte në këmbë ishte kuptuar menjëherë. Irena i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale kur ajo ishte fëmijë.
Çdo gjë kishte shkuar mirë deri kur Irenës i kishin filluar dhimbje në këmbë. Prindërit e saj i kishin rrëfyer të vërtetën se defektin nuk e kishte të lindur, por që përgjegjës ishin mjekët dhe pakujdesia e tyre.
Irena kur kishte mësuar të vërtetën e kishte përjetuar shumë keq duke u mbyllur në shtëpi. Situata ishte rënduar aq shumë sa që ajo refuzonte të dilte nga shtëpia dhe nuk dëshironte të shkonte në shkollë.
Motra e saj, Violeta kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për t’i kërkuar motrës që të mos dorëzohet sepse jeta është e bukur. “Irena unë të dua shumë dhe ti je më e mira në botë. Duhet të kesh shumë besim tek vetja dhe mos mendo kurrë se ti je ndryshe nga ne të tjerët. Ti je njësoj si ne këtu. Më premto që do të dalësh përsëri nga shtëpia”.
Për të mbështetur Violetën në këtë mision, Arbana Osmani kishte ftuar idhullin e Irenës, këngëtarin e dashur për publikun, Alban Skënderaj. Në kërcimin e saj të parë në jetë Irena pati si partner Albanin.
“Ti nuk je vetëm pasi ke familjen tënde që të do dhe kujdeset për ty. Më beso çdo pengesë është në mendjen tënde. Shiko përtej asaj që shohin sytë e tu, sepse rëndësi kanë ndjenjat dhe zemra. Ti tashmë ke një mik dhe unë do jem aty për ty duke të parë herë pas here”, – ishin fjalët që Albani i tha Irenës.
Alban Skënderaj e ftoi Irenën që të ndiqte koncertin e tij të ardhshëm në radhën e parë.
Top Channel