Napoli është një nga skuadrat që luan futbollin më të bukur dhe më dominues në botë, dhe e gjitha kjo për meritë të Maurizio Sarrit. Trajneri drejton napolitanët prej 3 sezonesh dhe ka arritur të implementojë idetë e tij, duke fituar respektin e shumë teknikëve me emër në botë.
Gjithashtu, shumë klube janë të gatshme t’i ofrojnë teknikut italian një kontratë shumë të majme, për t’ia rrëmbyer napolitanëve në fund të këtij sezoni. Nga ana tjetër qëndron Aurelio De Laurentis, që nuk ka ndërmend të lërë të lirë Sarrin, pasi dëshiron t’i japë vazhdimësi projektit.
Presidenti i Napolit i ka ofruar teknikut një kontratë të re, më afatgjatë dhe me një pagë prej 2.5 milionë eurosh në vit, por menaxherët e Sarrit kërkojnë minimalisht 4, duke bërë që diferenca të jetë rreth 1.5 milionë euro.
Gjithsesi, përveç pagës, palët duhet të diskutojnë edhe për detaje të tjera, si e drejta e imazhit dhe planifikimi i merkatos, ku Sarri kërkon më shumë investime dhe më shumë dorë të lirë.
Aktualisht ndaj trajnerit kanë shfaqur interes konkret klube si Monaco dhe Chelsea, me londinezët që janë treguar më këmbëngulës dhe i kanë bërë një ofertë konkrete.
Top Channel