Kryendeshja e javës së 29 të Superligës, mes Kukësit dhe Partizanit, nuk pati aspak histori. Në ‘Zeqir Ymeri’, vendasit dominuan dhe arritën të marrin një fitore bindëse 4-0, të frymëzuar edhe nga një Sindrit Guri në formë spektakolare.
Ishte pikërisht sulmuesi shkodran që zhbllokoi rezultatin në minutën e 8 të takimit, ndërsa 20 minuta më vonë, gjeorgjiani Dzaria dyfishoi shifrat.
Në minutën e 40′ ishte sërish Guri, që shfrytëzoi një krosim të ardhur në zonë, i vodhi kohën Atandës dhe dërgoi për herë të 3-të topin në rrjetën e portierit Hoxha.
Sulmuesi shkodran kompletoi një pasdite magjike, teksa në minutën e 80 ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke shënuar golin e 3-të përsonal dhe të 4-tin për Kukësin.
Pas ndeshjes, Sindrit Guri merr topin në shtëpi, ndërsa Kukësi blindon përfundimisht pozitat në vendin e dytë, pasi çon në 9 pikë diferencën nga ndjekësi më i afërt, që është Partizani.
Edhe në Gjirokastër u luajt një tjetër ndeshje direkte për Europën, ku Luftëtari vendas mposhti Laçin me rezultatin 2-1. Skuadra e Hasan Likës kaloi në avantazh në limitet e pjesës së parë, me anë të sulmuesit vlonjat Dejvi Bregu, teksa në minutën e 61-të, Vasil Shkurtaj dyfishoi shifrat.
Laçi rihapi takimin që në minutën e 65-të, pasi kapiteni Sefgjini shënoi në portën e gjirokastritëve, por skuadra e Mezanit nuk ia doli të shmangë humbjen e 3-të radhazi në Kategorinë Superiore. Fitorja 2-1 e Luftëtarit ndaj Laçit, bëri që dy skuadrat të ndërrojën vendet në renditje, me gjirokastritët që rimarrin vendin e 4-t, ndërsa bardhezinjtë zbresin në vendin e 5-të.
Pas plot një faze pa fitore në Superiore, Flamurtari gjen 3-pikëshin ndaj Lushnjës, teksa në ‘Roza Haxhiu’ triumfoi me rezultatin 0-2. Pikërisht ndaj verdhejeshilëve në stadiumin ‘Flamurtari’ vlonjatët shënonin fitoren e fundit në Superiore, më 18 Shkort të këtij viti, ndërsa sot për skuadrën e Duros shënuan Nedjelkoviç dhe Huseini.
Top Channel