Periudha informale e artit evropian dhe amerikan nisi menjëherë pas luftës së dytë botërore e vazhdoi deri në vitet 50.
Neveria që ngjalli politika e asaj kohe dhe drama që i shkaktoi njerëzimit ngjalli këtë reagim.
Informale e quan edhe ekspozitën e tij personale skulptori Vladimir Llakaj, megjithëse në kohë të tjera. AI do të përcjellë të njëjtën ndjenjë dhe mesazh, ashtu sikurse në bën në skulpturën “fenomeni”.
“Do të të çojë tek një fenomen. Mund të quhet edhe fenomeni. Fenomeni që është formuar në Shqipëri këto vitet e demokracisë këto 25 vjet. është një fenomen tranzicioni që s’ka fund. Fenomeni i një proteste të pafundme shpirtërore të popullit shqiptar”, shprehet Vladimir Llakaj, skulptor.
Forma dhe relieve të ndryshme që na çojnë që nga arkitektura e lashtë e deri në koncepte të përditshmërisë, si familja. Sipas skulptorit ky është një zhaner si krijim vetëm i tij.
“Ky zhaner është një kërkesë e imja personale mbi formën dhe mbi mundësitë e saj shprehëse, kritike, estetike. Ky zhaner është krijim i imi”, thotë skulptori.
Sipas konceptit të tij, forma e njeriut politik mund të ndryshojë,por përmbajtja është e njëjtë, duke sjellë njëlloj përsëritje të vazhdueshme. Megjithëse po nëpërmjet formës ai kërkon lirinë artistike.
“Informale, në kuptimin që këtu nuk ka asgjë konkrete. Prandaj kjo vjen si një kritikë shumë e madhe. Këtu nuk është konkrete asnjë pallat që ndërtohet për qytetin”, shprehet Vladimir Llakaj.
Ekspozita është kuruar nga Maks Velo dhe qëndron e hapur për publikun në Galerinë Fab.
Top Channel