Pas atij eliminimi të befasishëm në Champions League përballë Romës, Barcelonës tashmë nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shijojë titullin kampion në La Liga.

Katalanasit vazhdojnë të qëndrojnë në krye të klasifikimit si i vetmi ekip që deri më tani ende nuk e ka provuar shijen e humbjes, ndërkohë që këtë herë do të sfidojnë Valencian në Camp Nou.

“Los Che” gjithashtu janë duke kaluar një periudhë tepër pozitive në kampionat, me pesë fitore radhazi në po kaq ndeshje të luajtura. Përballë blaugranave ata do të provojnë jo vetëm të qëndrojnë të pamposhtur, por edhe për të tentuar vendin e dytë e mbi të gjitha të lënë pas Realin e Madridit në renditje.

Një tjetër duel që nuk duhet humbur nga kampionati spanjoll është edhe Sevilla-Villareal përballje direkte për një vend në Europa League. Andaluzianët gjithashtu vinë pas eliminimit ndoshta të pamerituar në ligën e kampionëve me Bayernin e Mynihut. Ekipi i Montellës në “La liga” ka plot katër javë pa fitore, ndaj suksesi kundër nëndetëses së verdhë është një lloj detyrimi. Në kampin tjetër Villareal gjithashtu po kalon një periudhë jo dhe aq pozitive, teksa përballë Sevilla do të provojë të reagojë në mënyrë që të mos lëshojë terren përsa i përket zonës europiane.

Athletico Bilbao do të presë Deportivo La Corunia-n. Këta të fundit arritën të gjejnë fitoren e parë pas gati 4 muajsh, tre pikë që në një farë mënyrë i kanë ringjallur shpresat për mbijetesë, të paktën matematika ia lejon të besojnë deri në fund. Ndërkohë ndaj Bilbaos, që nuk ka asnjë objektiv në këtë fazë të kampionatit, do t’i duhet të japin maksimumin e mundshëm për të arritur qoftë edhe një barazim.

Top Channel