Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij është në bisedime me SHBA-në dhe Rusinë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Siri.
“Duke e diskutuar të gjithë këtë, çështja që ne këmbëngulëm ishte se tensionet në rritje në rajon nuk do të ishin të drejta dhe kriza në rajon duhet të përfundojë me vendosjen e paqes”, u tha presidenti Erdogan gazetarëve në Stamboll.
Presidenti turk bëri të ditur se ai ka shkëmbyer pikëpamjet mbi Duomën në Siri me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Ai po ashtu tha se ka folur me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, mbi çështjen e sulmeve kimike në Duma, duke shtuar se Turqia ka një qëndrim të fuqishëm kundër përdorimit të armëve kimike, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu.
Sipas agjencisë së mbrojtjes civile Helmetat e Bardha, regjimi i Bashar al-Asadit është fajësuar për një sulm kimik të së shtunës në qytetin e Duomës në Gutën Lindore, duke lënë të vrarë 78 civilë dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Erdogan përveç armëve kimike, poashtu theksoi rëndësinë e kundërshtimit të përdorimit të armëve konvencionale.
“Natyrisht, vdekjet me armë kimike janë një tragjedi, një fatkeqësi, por nga ana tjetër kur hidhen bombat fuçi me armë konvencionale, ato nuk bëjnë dallimin midis njerëzve, fëmijëve, grave, të moshuarve dhe i vrasin të gjithë pa mëshirë”, tha Erdogan.
“Përpara gjithë kësaj ne duam që forcat e koalicionit, veçanërisht SHBA-të dhe Rusia të jenë të ndjeshëm këtu”, theksoi ai.
Përveç kësaj, presidenti Erdogan tha se Turqia vazhdon të mbajë qëndrimin e saj të vendosur në luftën kundër terrorizmit në Afrin të Sirisë.
Top Channel