Edhe pse kaloi në gjysmëfinalet e Champions League falë një 11-metërshi në sekondat e fundit të ndeshjes kundër Juventusit, Real Madrid është favoriti kryesor për të fituar për herë të 13 kompeticionin më të rëndësishëm për klube.

Sipas kompanive të basteve, Reali ka një koeficient 2,6 për fitoren finale, i ndjekur nga Bayern Munchen me 2,9, Liverpool me 4,00 dhe Roma me 11,25.

Sigurisht që këto koeficientë do të ndryshojnë në varësi të shortit të gjysmëfinaleve, që do të hidhet sot në Nion të Zvicrës, në orën 13:00.

Koeficienti mund të ndryshojë edhe nga Sergio Ramos. Mbrojtësi i Realit rrezikon të pezullohet për gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Kapiteni i formacionit të ‘Los Blancos’, i cili mungoi në përballjen epike të stadiumit “Santiago Bernabeu” për shkak kartonash, zbriti në tunelin e impiantit dhe më pas në pankinë, para fundit të ndeshjes ndaj torinezëve, zonë e ndaluar për të skualifikuarit.

Se sa peshon Sergio Ramos në prapavijën e Realit, kjo u duk edhe në 90 minutëshin elektrizues që galaktikët humbën 3-1 ndaj Juventusit, e ndoshta me kapitenin në fushë do të kishin më shumë siguri në mbrojtje. Mbetet për tu parë se çfarë ka raportuar vëzhguesi i ndeshjes dhe arbitri për zbritjen e palejuar të spanjollit në tunelin e stadiumit. Nëse kjo është shënuar, Sergio Ramos do të pezullohet në bazë të nenit 11 të kodit disiplinor të UEFA-s.

Por jo vetëm kaq. Kapiteni i ‘Los Blancos’ rrezikon një dënim të dytë edhe për polemikat me trajnerin Massimiliano Allegri. Në bazë të konfliktit ishte penalltia kontroverse në kohën shtesë për padronët e shtëpisë. Në një situatë hipotetike me dy pezullimet e Sergio Ramos, trajneri Zidan do të ketë mundësi të përdorë kapitenin vetëm nëse Real madrid arrin në finalen e Champions.

Top Channel