Kritikat ndaj Trump, sulme të ashpra për librin e Comey

13/04/2018 08:43

Aleatët e presidentit amerikan Donald Trump i kanë hyrë një fushate intensive “online” për diskreditimin e librit me kujtime të ish-shefit të FBI-së, James Comey, të shkarkuar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Libri, që përshkruhet si goditja më e fortë e dhënë një presidenti në detyrë në historinë moderne të Amerikës, del në treg javën e ardhshme.

Republikanët çelën një faqe interneti, ku ish-zyrtari më i lartë ligjzbatues i vendit cilësohet si “Comey gënjeshtari”.

Në një intervistë të dhënë paraprakisht, Comey e krahason Trumpin me një “bos të mafies”. Në disa pjesë të librit, të siguruara nga “Washington Post”, Comey shkruan se përballjet me Trumpin i rikthyen në kujtesë fillimet e karrierës si prokuror kundër krimit të organizuar.

Ish-kreu i FBI-së përmend rrethin e heshtur të aprovimit, si dhe betimet e besnikërisë. “Bosi, – thotë ai, – është jashtë kontrollit”.

“Këndvështrimi global është kundër atyre, gënjeshtrat për gjëra të mëdha e të vogla, në shërbim të një kodi besnikërie që e vendos organizatën mbi moralin dhe mbi të vërtetën”, thuhet në disa fragmente të librit.

“Rezultati, – vazhdon ai, – është zjarri pyjor që përbën Presidencën Trump”.

Faqja e internetit “lyingcomey.com”, e krijuar nga Komiteti Kombëtar Republikan, përpiqet të tregojë në kundërsulmin e saj sesi u ankuan demokratët nga menaxhimi që Comey i bëri hetimit mbi “e-mail”-et e Clintonit, e sesi e kërkuan edhe ata largimin e tij.

“Comey nuk është i besueshëm, e për këtë pyesni pak demokratët”, thuhet në fillimin e një videoje, që tregon më pas kritikat e Nancy Pelosit dhe Chuck Schumerit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA