Foto LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të papërshtatshëm për të vazhduar udhëtimin në drejtësi gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva.

Mëngjesin e së premtes, trupa gjykuese dha vendimin, pasi Trezhnjeva nuk mund të justifikonte 20 milionë lekë pasuri.

“Trupa e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore për subjektin e rivlersimit, z. Besim Trezhnjeva. Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese e përbërë nga Alma Faskaj, kryesuese, Firdes Shuli relatore, Roland Ilia, anëtar vendosi të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, zotin Besim Trezhnjeva, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Durrës”, bëri të ditur kryesuesja e trupës gjykuese, Alma Faskaj.

Ky është vendimi i shkalles së parë të organeve të vetingut, i cili sipas avokatit Fatmir Brraka do të apelohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Të mërkurën, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke iu referuar raportit të ILDKPI tha se Trezhnjeva ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk justifikon burimin e të ardhurave.

Si pasuri të gjyqtarit u treguan tre apartamente në Tiranë e Durrës, një sipërfaqe prej 1920 metra/katrorë tokë në Baldushk, e blerë gjatë 2012 për 878 mijë lekë dhe një automjet prej 16 mijë eurosh.

Por, sipas kontrollit të vettingut dyshohet se gjyqtyari nuk justifikon burimin e aseteve në vlerën e 20 milione lekëve, ndërsa nuk ka deklaruar edhe një llogari bankare prej 150 mijë lekë, kjo e fundit u konsiderua nga avokati i tij si një harresë e të bijës.

Gjyqtari nuk tha asnjë fjalë përpara KPK, përveç emrit e mbiemrit. I vetmi që foli ishte avokati që këmbënguli se bashkëshortja e gjyqtarit, Arta Trezhnjeva prej dy dekadash punon farmaciste dhe se të ardhurat e saj nuk janë llogaritur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA