Kosovë, Haradinaj emëron Bejtush Gashin si ministër të Brendshëm

13/04/2018 15:07

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar kandidaturën e Bejtush Gashit për ministër të ri të Punëve të Brendshme, pas shkarkimit të ish-ministrit Flamur Sefaj, po nga AKR-ja e Pacollit, pas skandalit që tronditi politikën kosovare arrestimi dhe dëbimi i menjëhershëm i 6 shtetasve turq të konsideruar si “gylenistë”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj tha se i ofron mbështetjen e tij të plotë ministrit të ri, në shërbim të zbatimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë publike në Kosovë.

“Emërova sot Bejtush Gashin, ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bejtush Gashi ka qenë zëvendësministër në MFSK dhe është doktor shkencash, si dhe ligjërues në fushën e sigurisë. Ai i sjell qeverisjes së vendit një cilësi të re dhe një përvojë të madhe në këtë fushë të rëndësisë së veçantë për vendin. Ministrit të ri i dëshiroj suksese në detyrën e tij dhe i premtova mbështetjen time të plotë, në shërbim të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë publike në Kosovë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Pas shkarkimit të Flamur Sefajt, AKR-ja vendosi për emrin e ri që do të çonte në krye të kësaj ministrie. Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli paraqiti kandidaturën e Bejtush Gashit, që më pas mori edhe konfirmimin nga kryeministri.

Bejtush Gashi ushtruar aktualisht detyrën e dekanit të Fakultetit për Sigurinë Publike në Vushtrri. Më parë ai ka mbajtur edhe një pozitë të rëndësishme në qeveri, pasi nga viti 2011 deri në vitin 2014 ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së FSK-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA