Gjermani, ardhja e emigrantëve rrit përfituesit e ndihmës sociale

13/04/2018 13:43

Vërshimi i emigrantëve në Gjermani ka bërë që të rritet edhe numri i përfituesve të ndihmës sociale.

Raportet në media, të mbështetura në të dhënat e Agjencisë Federale të Punës, tregojnë se në fund të dhjetorit në vend, ndihmën e merrnin 5.93 milionë vetë, e gati gjysma e tyre ishin të huaj.

Grupimin më të madh e përbëjnë sirianët, të dytët në renditje janë turqit, të pasuar nga irakianët dhe afganët.

Një pjesë e nevojtarëve vijnë edhe nga vendet e BE-së. Grupin më të madh të njerëzve nga BE-ja që marrin ndihmë sociale e përbëjnë bullgarët (84.334 vetë), të ndjekur nga polakët (80.517) dhe rumunët (65.902 vetë).

“Por, jo çdokush që aplikon për ndihmën sociale mund ta marrë atë”, thotë “Deutsche Welle”.

Qytetarët e huaj duhet të plotësojnë kushte të caktuara. Së pari, ata duhet të provojnë se në Gjermani qëndrojnë në mënyrë të ligjshme dhe se kanë leje të rregullt qëndrimi. Ata që kanë mbërritur si refugjatë e kërkojnë azil, e marrin ndihmën mbi bazën e ligjit për kontributet për azilkërkuesit.

Nëse u lejohet qëndrimi në Gjermani, pra u njihet azili, ata mund të aplikojnë për ndihmë sociale tek Agjencia Federale e Punës, ku duhet të provojnë se janë nevojtarë. Në përgjithësi, nga të huajt kërkohet një dokument që nuk janë vetëm për një kohë të shkurtër në këtë vend, si për shembull si turistë.

Nëse dikush është qytetar i një vendi të BE-së, ai duhet të paraqesë një kontrate qiraje, një njoftim regjistrimi, si dhe kartën e identitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA