Barcelona zbuloi me krenari imazhet e fundit të projektit spektakolar për rikualifikimin e stadiumit mitik “Camp Nou”, duke e kthyer në një oaz fantastik dhe vend feste për futbollin, edhe më mirë se gjendja aktuale.
Klubi katalanas zbuloi detaje të planit ambicioz që do të ristrukturojë impiantin historik, duke i dhënë një imazh të ri.
Ideja e arkitektëve është ajo për të zgjeruar strukturën aktuale prej 90 mijë vendesh, e për ta çuar në një kapacitet 105 mijë tifozë. Projekti do të përmirësojë gjithashtu infrastrukturën rreth stadiumit. Shoqëria spanjolle do të shpenzojë plot 600 milionë euro për zhvillimin e planit inovativ, në bashkëpunim me lejen e këshillit komunal.
Mbetet vetëm një pengesë e fundit për t’u kaluar para se fjala t’i kalojë ekskavatorëve, vinçave dhe qindra punëtorëve që do të zënë vendin e tifozëve në “Camp Nou”.
Barcelona do të duhet të marrë aprovimin projektit në një sesion plenar të bashkisë. Rikualifikimi, sipas arkitektëve, do të përfundojë në vitin 2021. Zona do të bëhet pjesë e distrikteve La Maternitat e Sant Ramon. Publiku do të ketë mundësi të kalojë dhe në zona që aktualisht janë private si dhe do të përmirësohet transporti drejt impiantit në një qytet që gjithmonë mbipopullohet nga turistët.
Top Channel