Zemërim dhe zhgënjim: Buffon deklaron tërheqjen

12/04/2018 16:30

Reali i mallkuar, penalltia e mallkuar, Champions i mallkuar: Buffon nuk e arriti dot dhe me shumë gjasa kjo ka qenë mundësia e tij e fundit, për të ngritur lart trofeun e vetëm që i mungon në karrierën e tij brilande.

Penalltia e dhënë në minutat shtesë ishte si sinori i fundit i një rrugëtimi të papërsëritshëm. Fundi është gjithnjë i dhimbshëm, e aq më shumë kur ke bërë gjithçka në mënyrë perfekte. Ashtu ishte Juventus për 90 minutat e kthimit ndaj Real Madrid. Më pas ajo manovër agresive e Benatia, këputja e Vaskez dhe fëshëllima therëse e arbitrit. Gjithçka më pas është një zhgënjim, për Juventusin që humbet mundësinë e radhës, por më shumë për Buffon që nuk ka më kohë të provojë përsëri.

Në një intervistë Juventus Channel, Buffon lëshoi edhe deklarëtn e dhimbshme: “Më vjen keq të lë këta djem të shkëlqyer, por besoj se kam arritur ti transmetoj diçka”. Nuk është ndoshta zyrtare, por ndoshta jemi një shkallë përpara lamtumirës së Buffon nga futbolli.

Top Channel