Vajza e ish-agjentit Skripal refuzon ndihmën ruse: Askush nuk flet në emrin tim!

12/04/2018 12:16

Vajza e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, ka refuzuar ndihmën e Ambasadës ruse “të paktën për momentin”.

Yulia Skripal, 33-vjeçarja që doli nga spitali gjatë së hënës, pasi qëndroi mbi një muaj aty për shkak të helmimit, shprehet gjithashtu se babai i saj është ende i sëmurë.

Në deklaratën e publikuar përmes policisë, ajo thotë se nuk ndihet e fuqishme mjaftueshëm për të dhënë një intervistë të gjatë për mediet, por shtoi se “askush nuk flet për mua apo babain tim”.

Ambasada ruse reagoi menjëherë me dyshimin se deklarata “mund edhe të mos i përkasë Yulias”, duke se ajo ngre pyetje të tjera.

Yulia dhe babai i saj 66-vjeçar u gjetën “të fjetur” në një stol parku në Salisbury më 4 mars, pasi ishin ekspozuar ndaj agjentit nervor luftarak “Novichok”. Sergei ndodhet ende në spitalin e Salisburyt, por thuhet se gjendja e tij po përmirësohet shpejt.

Në deklaratën e saj, Yulia thotë se u gjend papritur “në një jetë totalisht të ndryshme, krahasuar me jetën normale që bënte mbi një muaj më parë”. Ajo në fakt është dërguar në një vend të sigurtë, në të cilin, siç thotë, “gjendet e rrethuar nga oficerë ekspertë të trajnuar në mënyrë specifike, të cilët po përkujdesen për të dhe po i shpjegojnë të gjitha procedurat hetimore që janë ndërmarrë”.

“Gjithsesi kam mundësinë të kontaktoj me miqtë dhe familjen, ndërsa jam ndërgjegjësuar për disa kontakte specifike që kam pasur në Ambasadën ruse, të cilët me kënaqësi më kanë ofruar ndihmën e tyre, në çfarëdolloj mënyre që munden ata. Për momentin nuk kam pranuar të përfitoj nga shërbimet e tyre, por, nëse ndryshoj mendje, di sesi t’i kontaktoj ata”, thotë Yulia.

Ambasada ruse në Londër tha se deklarata “vetëm sa përforcon dyshimet se kemi të bëjmë me një izolim me forcë të një shtetaseje ruse”, ndaj dhe u bëri thirrje autoriteteve britanike “të ofrojnë urgjentisht të gjitha dëshmitë e prekshme” që vajzës së Skripalit nuk po i privohet liria.

“Duke qenë se nuk kemi mundësi ta verifikojmë atë, publikimi i bërë nga Policia Metropolitane ngre pyetje të reja, në vend që të japë përgjigje, – shkruan Ambasada ruse. – Siç e kemi thënë edhe më parë, do të donim të siguroheshim se kjo deklaratë i përket vërtet Yulias. Por deri tani dyshojmë! Teksti është hartuar në mënyrë të atillë që mbështet deklaratat zyrtare të bëra nga autoritetet britanike, e në të njëjtën kohë për të përjashtuar çdo kontakt të mundshëm të Yulias me botën jashtë, me konsulentë, gazetarë apo edhe familjarë”.

Qeveria britanike akuzon Rusinë si përgjegjëse për helmimin e të dyve, gjë që shkaktoi edhe një krizë të thellë diplomatike mes Moskës dhe Perëndimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA