SHBA, Pompeo drejt zyrtarizimit si Sekretar Shteti. Por, a do t’i kundërvihet Trumpit?

12/04/2018 13:02
Kreu i Komitetit të Jashtëm në Senat, Bob Corker (djathtas), takohet me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, (majtas).

Senatorët amerikanë, që po përgatiten për seancën e kësaj të enjteje për konfirmimin e Mike Pompeos në postin e Sekretarit të Shtetit, kanë zbuluar se njëra prej pyetjeve kryesore që do t’i drejtohet atij është: A do të mundet drejtori i CIA-s t’i kundërvihet presidentit amerikan Donald Trump?

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e nominoi Pompeon për postin e kryediplomatit më 13 mars, ditën kur ai shkarkoi me një “cicërimë” Rex Tillersonin, ish-shefin ekzekutiv të “Exxon Mobil”.

Në fjalimin e tij, Pompeo pritet të sinjalizojë një linjë më të ashpër ndaj Moskës, ndërsa do të rrëmojë edhe sfidat e politikës së jashtme amerikane përballë Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës, të paktën nga sa mësohet nga pjesëza të fjalimit të tij hapës të publikuar përpara kohe nga Shtëpia e Bardhë.

“Rusia vijon të sillet në mënyrë agresive, duke përfituar nga vite të tëra politike të butë kundrejt këtij agresioni. Por tashmë ka marrë fund”, pritet të thotë ai.

Nominimi i Pompeos vjen në kohën kur administrata “Trump” po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Siri për shkak të një sulmi të dyshuar me armë kimike, që la të vrarë dhjetëra persona dhe të plagosur qindra të tjerë në qytetin Douma.

Megjithatë, në fragmentet e shkëputura, Pompeo duket se nuk do t’i referohet ndërhyrjes së Rusisë në fushatën zgjedhore të vitit 2016, edhe pse mbi këtë çështje priten të ngrihen pyetje nga demokratët dhe republikanët bashkë, disa prej të cilëve kanë akuzuar Trumpin se ka dështuar në ashpërsinë ndaj Moskës.

Trump krijoi një marrëdhënie të ngrohtë me Pompeon gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë përgjatë vitit të parë të presidencës së tij, e tashmë beson se ish-kongresmeni republikan ndan shumicën e pikëpamjeve të tij mbi botën, krahasuar me Tillersonin që shpeshherë nuk binte dakord me presidentin.

Pjesëtarë të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme në Senat pritet ta “bombardojnë” Pompeon me pyetje mbi strategjinë e administratës amerikane mbi Sirinë, marrëdhëniet me Rusinë, ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut dhe planet për t’u përballur me rritjen e ndikimit ndërkombëtar të Kinës.

Por, senatorët thonë se shqetësimi më i madh i tyre ishte nëse Pompeo, ish-kongresmen republikan, do të mund t’i kundërvihet Trumpit apo do ta bindë atë të ndryshojë mendje kur të jetë e nevojshme.

Edhe pse Pompeo me shumë gjasë do të konfirmohet nga Senati, nëse seanca dëgjimore shkon mirë, ai gjithsesi do të ishte i pari kandidat për Sekretar Shteti që nuk do të mund të miratohet nga Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë, aty ku republikanët e Trumpit kanë vetëm një shumicë prej 11 senatorësh kundrejt 10. Por, kundër Pompeos pritet të votojë edhe senatori republikan Rand Paul, duke cituar mbështetjen e kandidatit për luftë dhe bazuar mbi seancat e mëhershme dëgjimore të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA