Ronaldo: Penalltia ishte neto, nuk kuptoj protestat e bardhezinjve

12/04/2018 04:17

Cristiano Ronaldo vijon të thellojë rekordin e tij në Champions, pasi në këtë edicion ka shënuar në të 10 takimet, që prej shtatorit 2017.

Portugezi nuk ka aspak dyshime mbi penalltinë e akorduar nga arbitri Oliver, ndërsa tha se nuk i kupton protestat e juventinëve.

“Nuk e kuptoj pse protestojnë, pasi ajo ishte penallti e pastër. nëse nuk do të ishte penallti, do të ishte gol. Benatia dhe mbrojtësit e tjerë kanë ndërhyrë nga mbrapa gjatë gjithë lojës. është mënyra e tyre e lojës. Sot vuajtëm shumë, por mësuam edhe njëherë se në futboll nuk të fal askush, asgjë, ndaj duhet të vraposh deri në fund”, deklaroi Ronaldo.

Ylli i Realit mori përsipër ekzekutimin e penalltisë deçizive, që i dha madrilenëve kualifikimin për në gjysmëfinale, teksa u shpreh se ndjeu shumë përgjegjësinë e ekzekutimit të saj.

“Ritmi i rrahjeve të zemrës mu shtua, kur mora topin, por protestat e zgjatura bënë që të qetësohesha dhe të përqendrohesha në goditjen e topit në rrjetë. E dija rëndësinë e asaj penalltie, ndaj doja ta dërgoja në rrjetë.në gjysmëfinale do të jetë e vështirë, por ne jemi aty për të provuar një tjetër triumf”, u shpreh portugezi i Realit.

Top Channel