“Fiks Fare” vë në lëvizje Bashkinë Përrenjas, i kërkojnë të firmosë kontratën punonjëses pas 6 muaj pune

12/04/2018 20:50

Bashkia Përrenjas mban në punë punonjësen 6 muaj pa kontratë duke shkelur Kodin e Punës.

Pas interesimit të Fiks Fare mbi këtë çështje, zonjës i kërkohet të firmosë kontratën. Nëna e dy fëmijëve ngarkohet të bëjë punën e hidraulikut, ndërkohë që është punësuar si faturiste e ujit të pijshëm në Njësinë Administrative Rrajcë, Përrenjas.

Në Fiks Fare u ankua Blerina Ozuni nga Përrenjasi, nëna e dy fëmijëve, e vetmja që punon në familje ku jetojnë me qira.

Prej 6 muajsh ajo është e punësuar si faturiste e UKP pranë Njësisë Administrative Rrajcë. Mbulon tre fshatra, Urakë, Kotodesh, Katjel. Rreth 1000 abonentë. Ky është vendi i tretë i punës që ajo po ndërron, pasi para këtij, ka qenë faturiste në Përrenjas, dhe para asaj ndihmës kuzhiniere në kopsht. Për arsye politike ajo pretendon se po mundohen ta largojnë nga puna.

Sipas saj i vjehrri është socialist edhe ajo socialiste ka qenë, por gjatë fushatës nga frika për vendin e punës e shoqëroi kryetaren e LSI-së, Miranda Rirën në të gjitha takimet, madje u bë edhe anëtare e LSI dhe komisionere për zgjedhjet.

Ajo pretendon se nga administratori dhe nga vetë kryetarja i është bërë presion që të largohet nga puna. Këtë zonja Blerina e bazon se nuk i është bërë ende një kontratë pune , plus që ata e kanë caktuar në punë që ajo nuk arrin fizikisht t’i përballojë, pasi janë shumë të vështira. Puna e fundit është të lexojë sahatët e ujit të cilët janë të vendosur në puseta të thella, ka raste më shume se 1.50 m, ku nuk ka shkallë apo janë të mbushura me ujë. Pusetat janë të mbuluara me teneqe, të mbyllura me hekur e kyç, i cili në të shumtën ë rasteve hapet më gurë . Deri tani i janë vendosur dy masa paralajmërimi për pushim nga puna, të cilat sipas saj janë të pa bazuara dhe formë e presionit për t’u larguar nga puna.

Blerina kërkoj të ballafaqohej me administratorin e Rrajcës, i cili nuk ishte në zyrë dhe ajo doli ta takonte në terren. Gjatë bisedës ai pranon që urdhrat i jep kryetarja dhe i tregon se puna është kjo dhe duhet të zgjedhë të punoj ose jo! “Unë jam punëtor si ty, nuk të kam marr unë në punë, unë të menaxhoj, hidraulikun e ka caktuar me grup tjetër kryetarja, mbaron këtu mbase shkon në vend tjetër . Unë nuk ta garantoj se do vij më ty të punoj.”- pohon ai. Ndërkaq që Blerina shprehet për Fiks Fare se puna që bën është e rëndë dhe ndërkohë faturistet e tjera për të njëjtën punë shoqërohen me hidraulik, kurse Blerina jo. “Janë 80 puseta për t’u kontrolluar, është një punë shumë e vështirë, madje njëherë më ka rënë të fikët gjatë punës, por kur im shoq mori në telefon kryetaren që ta pyeste për gjendjen time, ajo i foli me ton shumë të ashpër duke e ofenduar” pohon Blerina. Dhe në të vërtet nga telefonata e regjistruar midis bashkëshortit të Blerinës dhe kryetares së bashkisë, Miranda Rira ajo i thotë : Tani ti me ça bir mendsh merr kryetaren e bashkisë dhe i thua i ka rënë të fikët gruas time dhe pse i ka rënë të fikët! Di unë pse i ka rënë të fikët gruas tate?

Pasi Fiks Fare u interesua pranë Njësisë Administrative Rrajcë. Administratori nuk ishte në zyrë. I kontaktuar në telefon nga njëri prej punonjësve ai deklaroi se nuk kishte kohë të takonte gazetarët sepse ndodhej në terren.

Dy ditë më vonë Blerina Ozunin e marrin në telefon nga Bashkia e Përrenjasit, ku i kërkojnë të paraqitet për të firmosur kontratën. Në kamerën e fshehtë specialistja e burimeve njerëzore i thotë se është rifreskim i kontratës dhe ishte praktikë punë për të gjithë punonjësit. Ajo duhet të nënshkruante kontratë të re për pozicionin e ri. Sipas Blerina Ozunit, ajo ndihej nën presion ndaj i kërkoi ta shtynte firmosjen, pasi nuk ishte e qartë.

Pas këmbënguljes së Fiksit, specialistja e burimeve njerëzore pranë Bashkisë Përrenjas, Suela Duka, gjatë intervistës pranon që Blerina Ozuni me pozicion faturiste, është thirrur për të firmosur për pozicionin e ri të punës për të cilin ajo ka më shumë se gjashtë muaj që punon. E pyetur përse kjo kërkesë është bërë pas një afati prej 6 muajsh, specialistja refuzon të përgjigjet dhe largohet nga intervista dhe ngjitet për në zyrën e saj.

Pavarësisht insistimit të gazetarëve të Fiksit ajo nuk përgjigjet pse kjo punonjëse ka qenë pa kontratë gjatë gjithë kësaj kohe, duke shkelur kështu Kodin e Punës. Sipas Kodit të Punës, kontrata me punonjësin në rastin e ndërrimit të pozicionit të ri duhet të nënshkruhet brenda shtatë ditësh. Në të kundërt punëdhënësi, në këtë rast Bashkia Përrenjas, rrezikon po sipas kodit të gjobitet me
30-fish të pagës minimale. Në këtë rast rreth 7 milionë lekë të vjetra.

Biseda e plotë me Administratorin Erind Malo

Faturistja – Unë vetë nuk i bëj dot ato! Më thuaj që do i bësh një muaj, dhe unë do t’i bëj. Por pas një muaji do më sjellësh hidraulikun me vete mua.
Administratori Rrajcë – Hidrauliku është me grup pune.
Faturistja – E zemë kur t’i mbaroj—.
Administratori Rrajcë – Se di unë çar të mbaroj, mund të dali grup tjetër. Kjo është puna! Një punë është, po e bëre bëje. Po se bëre, unë s’të pengoj…
Faturistja – Faturistet e tjera a janë të shoqëruara?
Administratori Rrajcë – Po mirë me më…çaçaaa
Administratori Rrajcë – Të tjerët s’kanë fare faturino!
Faturistja – Po pse vetëm unë t’i bëj e vetme?
Administratori Rrajcë – Kë kam tjetër unë edhe se bëra tjerët, kam më faturino tjetër unë!
Faturistja – Po ti vendos. Mos e thuaj atë.
Administratori Rrajcë – S’vendos unë. Unë jam punëtor si ty. Unë thjesht menaxhoj punëtorët që kam.
Administratori Rrajcë – Këtë punë kam. Do e bësh zonjë? Kjo punë është, do e bësh s’do e bësh, kaq?
Faturistja – Edhe unë këtë doja të dija. Unë e di që këtu është!
Faturistja – Të luftohem, nëna e dy fëmijëve, se kam fëmijët për të ushqyer.
Administratori Rrajcë – Ne kemi një vend pune, është faturino. Kjo faturino kështu do bëhet.
Faturistja – Më ke thënë që kryetarja më urdhëron. E bëj me urdhër të kryetares!
Administratori Rrajcë – S’urdhëron kryetarja. Kryetarja ka urdhëruar këtë (hidraulikun), për ta bërë punën.
Faturistja – Lëre, lëre, më përpara si më the mua!
Administratori Rrajcë – Ku më përpara.
Faturistja- Më ka urdhëruar kryetarja..
Administratori Rrajcë – Leje, leje…
Faturistja – Më ka urdhëruar kryetarja të japë edhe vërejtjen edhe atë…
Faturistja – Ti po i mohove, mohoj…
Administratori Rrajcë – Jo nuk mohoj unë, s’mohoj asnjëherë…
Faturistja – Nuk ka problem fare.
Administratori Rrajcë – Kryetarja ka dhënë urdhër grup pune,jam edhe unë grup pune, është edhe ai (hidrauliku)
Biseda e bashkëshortit me kryetaren e Bashkisë Përrenjas, Miranda Rira
Burri i Faturistes – Zonja kryetare me ju po flas?
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Po.
Burri i Faturistes- Jam Roland Ozuni. Burri i Blertës.
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Po.
Burri i Faturistes- Më njoftuan që i ka rënë të fikët nuses sime, këtu në Kotodesh, dhe vajta ta marr ta çoj në spital.
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Po.
Burri i Faturistes- Sepse është vetëm dhe nuk e kishin shoqëruar hidraulikët. Nga presioni, nuk e di çfarë i ka ndodhur. Mund të di si është e vërteta dhe çfarë bëhet me nusen time? Isha në zyrë të të takoj por nuk të gjeta. Më thanë që s’është.
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Tani ti me ça birku mendsh merr kryetaren e bashkisë dhe i thua i ka rënë të fikët gruas time dhe pse i ka rënë të fikët! Di unë pse i ka rënë të fikët grus tate?
Burri i Faturistes- Të kuptoj…
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Ç’punë kam unë me grun tate i her?
Burri i Faturistes- Mirë, dakort, të kuptoj por…
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Domethenë, me ça birko mendsh, se s’di si të ta them tjetër unë ty, e më thua mua tani, i ka rënë të fikët gruas time dhe pse i ka rënë të fikët?!
Burri i Faturistes- Më kupto tashi…
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Ti je në terezi që më bën këtë pyetje mua apo s’je në terezi? Ti vet si person?
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Nëse gruas tënde i ka rënë të fikët, të shkuara. Merre gruan çoje në spital.
Burri i Faturistes- Po dëgjo, më fal..
Kryetarja e bashkisë Përrenjas- Po ik ore njëri se u bëtë ordinera fare…(mbyll telefonin)

Biseda e plotë audio mes Vjehrrit dhe Administratorit
Vjehrri i faturistes – Tashi isha tek spitali, e gjeta ke spitali mori serum, Ka vajt tek pusetat…
Administratori i Rrajcës – Ça ka?
Vjehrri i faturistes – Atje i ka rënë të fikët.
Administratori i Rrajcës – Unë jam në Durrës sot.
Vjehrri i faturistes – Po si do ja bëjmë? Të vej ajo prapë, ajo është e sëmurme dhe e dyta, duhet të hapen pusetat që të marr leximin more burrë!
Administratori i Rrajcës – Takoje vet shefen o burrë, fol vet me të. Unë s’kam ça t’i bëj. Sot jam në Durrës. Ku di gjë unë.
Vjehrri i faturistes – Pse duhet ta takoj shefen?
Administratori i Rrajcës – Po fol pra me atë. Ku di unë çfarë të them. Çfarë pune t’i japë ajo. T’i japi ndonjë punë të lehtë.
Vjehrri i faturistes – Po ajo shkon tek puna, po s’ja hap njeri pusetën, si do veproj? E dua prej jush këtë zgjidhje.
Administratori i Rrajcës – Po kush do t’i hapi pusetat! Ku di unë kush do t’i hapi?!
Vjehrri i faturistes – Hidrauliku. Siç vijnë këtej në lagjen ku jam unë.
Administratori i Rrajcës – O Dilo, atë hidraulikun e ka urdhëruar kryetarja me grup tjetër. Tashi s’do vete unë të hap pusetat.
Vjehrri i faturistes – Hidrauliku i ka thënë që nuk më le administratori, Erindi.
Administratori i Rrajcës – Jo ore si nuk e le administratori! Ka marrë urdhër nga dikush tjetër jo nga administratori. Për mua jo ai. Por pesë hidraulikë t’i vijnë
Administratori i Rrajcës – Atij i thotë kryetarja. Nuk i kam thënë unë gjë. Këto urdhëra kam këto po të them, çfarë të them tani, më troç!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA