Mbrëmjen e kësaj të enjteje do të luhen ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve, përcaktuese për gjysmëfinalet e Europa League.

Për shkak të eksperiencës, skuadra pretendente e këtij edicionit të 9 të këtij trofeu konsiderohet Altetico Madrid, për më tepër që kualifikimin për në gjysmëfinale e ka thuajse të sigurtë, pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë përballë Sportingut të Lisbonës.

Përveç diferencës në letër që kanë këto dy skuadra, në këtë ndeshje në fushën e tij Sportingu nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë të rëndësishëm, si Bas Dost dhe Fabio Coentrao, mungesa këto për shkak të skualifikimit.

Pas Alteticos, një tjetër skuadër që konsiderohet pretendente për trofeun e Europa League konsiderohet Arsenali.

Edhe skuadra e Wengerit thuajse e ka siguruar kualifikimin për më tej, për shkak të fitores së thellë 4-1 në ndeshjen e parë përballë CSKA-së së Moskës.

Pas eliminimit të Milanit, “topçinjtë” kanë regjistruar 6 fitore radhazi në të gjitha aktivitetet ku marrin pjesë, duke vërtetuar formën shumë të mirë që po kalojnë. Ky është një tjetër sezon që skuadra e Arsene Wengerit do të synojë trofeun, pas 3 finaleve të humbura në kupat europiane.

Në ndeshjet e para, përballja mes Lazios dhe Salzburgut ishte ndeshja me më shumë gola, pasi bardhekaltrit italianë fituan me shifrat 4-2.

Pasi ka siguruar titullin kampion në kampionatin austriak, Salzburgu duket se do të pretendojë të shfrytëzojë faktorin fushë, mbrëmjen e sotme, ndërkohë që për të gjithë shqiptarët, kjo ndeshje do të jetë edhe një përballje në distancë mes portierit Thomas Strakosha të Lazios dhe sulmuesit kosovar të Salzburgut, Valon Berisha.

Ndërsa përballja më e fortë sportive në bazë të rezultatit të ndeshjes së parë luhet në “Velodrome” të Marsejës, ku Olimpikut vendas i duhet të përmbysë disavantazhin e një goli, pas humbjes me Leipzigun në ndeshjen e parë.

Top Channel