Gigi Buffon ishte më i nervozuar se të gjithë, me penalltinë e vërshëllyer nga arbitri në sekondat e fundit të takimit, që më pas u dërgua në rrjetë nga Ronaldo dhe la bardhezinjtë jashtë Championsit.

Portieri dhe kapiteni i Juventusit, i cili me shumë gjasë e kishte mundësinë e fundit për të synuar Championsin, nuk u përmbajt në protestën ndaj arbitrit, duke u ndëshkuar edhe me karton të kuq, e mos pasur mundësi të tentojë pritjen e penalltisë.

Menjëherë pas ndeshjes, Buffon tha se arbitri duhet të kishte më shumë guxim dhe të mos vërshëllente një episod, që për portierin e bardhezinjve ishte shumë i dyshimtë.

“Për të gjykuar në të tilla nivele, duhet të jesh i guximshëm, përndryshe shko të shikosh ndeshjen nga tribuna. Nuk mund të vërshëllesh për një episod të dyshimtë, në sekondat e fundit, pasi vret ëndrrat dhe shpresat e shumë njerëzve. Duhet më shumë përgjegjësi të gjykosh në të tilla nivele”, tha Buffon.

Më tej portieri i Juventusit tha se madrilenët e merituan totalisht kualifikimin, ndërsa shtoi se pikërisht skuadra e Zidane është favorite për të fituar Championsin edhe këtë sezon.

Top Channel