Mjeti i djegur në Krujë u vodh në Lushnje; dyshohet se është përdorur për vrasje

11/04/2018 10:25

Automjeti i gjetur i shkrumbuar në fshatin Gramëz të rrethit të Krujës këtë të mërkurë, është raportuar i vjedhur dy ditë më parë në Komisariatin e Lushnjes.

Makina Benz C-Clas me portobagazh dhe targa AA 399 DG është denoncuar si e vjedhur nga shtetasi me inicialet A.T.

Dyshohet se pasi e kanë vjedhur, autorët i kanë hequr targat mjetit, ndërsa nuk përjashtohen mundësitë që makina të jetë përdorur për aktivitet kriminal dhe më pas është djegur.

Policia është duke hetuar në këtë pjesë dhe ka dyshime se pikërisht me këtë makinë mund të kenë lëvizur autorët e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së martës në zonën e Kinostudios në Tiranë, ku u ekzekutua shtetasi 28-vjeçar, Mario Majollari.

Policia dyshon se krimi ndaj tij është kryer për hakmarrje, pasi i ati vuan një burgim të përjetshëm për ekzekutimin e dy të rinjve 18 vite më parë. Avni Majollari ishte arrestuar për këtë krim të ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Dajt, 14 vite më pas dhe po vuante dënimin.

Vetë i riu kishte kërkuar disa herë azil politik për shkak të kërcënimit për hakmarrje, por nuk ia kishte dalë dot. Sipas të dhënave që ka mbledhur policia, Majollari bënte një jetesë të qetë dhe nuk ishte i skeduar ndonjëherë nga policia për ndonjë vepër penale.

Vrasësit, të cilët mendohen të kenë qenë dy, e kanë ndjekur nga pas viktimën dhe sapo është futur në një rrugicë jo vetëm të pandriçuar, por edhe larg kamerave të bizneseve aty afër, e kanë qëlluar.

Top Channel