Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një konferencë për shtyp në Beograd, fillimi i turneut të tij ballkanik, ka deklaruar se Athina nuk e ka njohur në mënyrë diplomatike Kosovën dhe nuk ka ndërmend ta bëjë diçka të tillë në të ardhmen.

“Ekziston qysh para disa vitesh, nga qeveritë e mëparshme greke të PASOK-ut dhe Demokracisë së Re, një marrëveshje për hapjen e një zyre tregtare të Kosovës në Athinë. Kur ajo të hapet në një moment të caktuar nuk do të përbëjë një përfaqësim diplomatik të Kosovës”, ka thënë ai.

“Konsullata nënkupton përfaqësimin diplomatik dhe të drejtat e autoriteteve diplomatike. Nuk është rënë dakord për një gjë të tillë dhe as nuk parashikohet të bëhet”, ka shtuar Kotzias.

Edhe homologu i tij serb ka hedhur poshtë publikime të shtypit për hapjen e një konsullate të Kosovës në Athinë, duke pohuar edhe ai se ka pasur qysh më parë vetëm bisedime për hapjen e një zyre tregtare të Kosovës, por kjo nuk ndryshon qëndrimin e Greqisë ndaj statusit të saj.

Dy ministrat janë pyetur gjithashtu edhe për çështjen e zgjidhjes së emrit të fqinjit verior të Greqisë. Për Kotziasin, çelësi i bisedimeve të Ohrit pas disa orësh me homologun e tij Dimitrov është realizmi, pragmatizmi dhe koncepti i arritjes së një kompromisi të qëndrueshëm ndaj kohës, nga i cili do të fitojnë të dyja palët, e kjo nënkupton që nuk mund t’i marrësh të gjitha në një negociim.

Ndërsa Ivica Daçiç ka kritikuar edhe njëherë faktin që dikur Republika Federale e Jugosllavisë ka njohur emrin kushtetues të ish-Republikës Jugsllave të Maqedonisë, ndërsa sjellja e Shkupit ndaj Serbisë dhe interesave të saj nuk ishin ato që priteshin, pasi ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Sipas Daçiçit është në interes të të dyja palëve të arrihet një marrëveshje, ndaj dhe ka propozuar që Beogradi të jetë një prej vendeve ku Athina e Shkupi të negociojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA