“Cabronçito” nën akuzë, “luftë” në garën e radhës të MotoGP

11/04/2018 19:06

Marc Marquez përfundoi në qendër të kritikave pas garës së MotoGP në Argjentinë, në provën e dytë të Botërorit që ritheksoi karakterin e vështirë të pilotit iberik, jo pak herë nën akuzë për mënyrën e drejtimit. Spanjolli dhuroi një spektakël jo të denjë për klasin mbretëror dhe larg konceptit të Fair Play, që nga nisja dinake deri në përplasjen e bujshme me Valentino Rosin.

Si të mos mjaftonte rrëzimi i italianit në cirkuitin argjentinas, Marquez pati edhe kontakt me Espargarò dhe Rabat, një show i padenjë për një kampion bote që duhet të jetë shembull në pistë. Marc Marquez pranoi pjesërisht fajin, por i qëndroi stilit të tij të drejtimit.

“Do vazhdoj të pilotoj ashtu siç kam bërë gjithmonë, në limitin e rregullave. Fatkeqësisht pata një kontakt me Valentino Rosin dhe ai u rrëzua por u penalizova për këtë. Të gjithë pilotë gabojnë dhe nëse shohim pas në kohë, gjëra të tilla i kanë ndodhur dhe Rosit”, tha Mark Marquez.

Rivaliteti i tij me Valentinon ka sjellë përplasje të bujshme si ajo e Sepang kur vendosej titulli. Fakt mbetet që jo pak pilotë ankohen për sjelljen e Marquez në pistë, por kërkohet një reagim i fortë tashmë nga shoqata që ka në pronësi MotoGP. Jo pak njerëz kanë kërkuar që Marquez të përjashtohet nga gara e ardhshme në Ostin, ose të paktën ta detyrojnë të niset i fundit si ndëshkim moral dhe sportiv, për sjelljen e gabuar.

Top Channel