Stafi i spitalit rus, ku humbi jetën pas dhimbjesh të tmerrshme 28-vjeçarja Ekaterina Fedyaeva, do të përballet me gjyqin.
Rasti lemerisës i vajzës, së cilës iu injektua aksidentalisht në vena “formalinë” në vend të një solucioni fiziologjik, shkaktoi bujë të madhe në vend e jashtë tij.
“Formalina” përdoret rëndom për balsamosjen e trupave. 28-vjeçarja ishte operuar për heqjen e një kisti në vezore, e ndërhyrja kirurgjikale ishte realizuar pa probleme.
Tmerri i saj do të niste më vonë, gjatë asaj që duhej të ishte një procedurë rutinë. Kur e kuptuan gabimin, mjekët e spitalit të Ulyanovskut u përpoqen ta pastrojnë trupin e 28-vjeçares me 10 litra solucion kripe, por pa sukses.
Ajo përfundoi në koma dhe, ndonëse më vonë arriti të dalë prej saj, vdiq në repartin e terapisë intensive në një spital të Moskës, prej dëmtimit të skajshëm të shumë organeve të brendshme.
Ekipi mjekësor, veç të tjerash, nuk e kishte raportuar ngjarjen në kohë, me shpresën se gabimi do të arrinte të mbulohej. Raportimi i episodit u shty me 24 orë.
Kreu i Shëndetësisë së Ulyanovskut, Rashid Abdullov tha për mediet vendase se duhej të ishin marrë masa urgjente, e se informacioni duhej të ishte dhënë menjëherë, pasi vonesat bënë që të humbej një kohë e vyer për pacienten.
Top Channel