Zidane po përpiqet me çdo kusht t’i mbajë të karikuar të besuarit e tij, përpara sfidës së të mërkurës ndaj Juventusit, që konsiderohet më shumë si një formalitet.

Një ditë më parë, shumë bileta ishin ende të pashitura, ndërsa gazetarët dhe tifozët duken të pashqetësuar përballë një përmbysjeje, që matematikisht është ende e mundur nga bardhezinjtë.

Zizou është pyetur nga reporterët mbi një finale hipotetike me Barçën (që do t’i duhet gjithashtu të bëjë një ‘shëtitje’ në Romë), duke i përmendur se mbeten edhe 4 ndeshje nga Championsi i tretë radhazi.

Por tekniku francez duket sikur kërkon të ruajë qetësinë, edhe pse shfaqet qartësisht i tensionuar.

“Çfarë finale flisni? Finalja jonë luhet nesër dhe na duhet të bëjmë një ndeshje të madhe për të mundur Juventusin, e kësisoj të kalojmë edhe turin. Nuk dua të dëgjoj të tilla diskutime, as ne nuk e mendojmë finalen e Championsit. I marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, e kaq na mjafton. Mjafton diçka e vogël për të hedhur dëm të gjithën. Shikoni La Ligën. Të premten ju thashë se duhej të fitonim për të kapur vendin e dytë, por tani jemi në vend të katërt. Sa i përket ndeshjes me Atleticon, luajtëm shumë mirë, por rrezikuam edhe të humbisnim. Kështu e ka futbolli. Tani për tani mendoj vetëm për Juven”, tha Zidane.

Kohët e fundit, ekipet italiane kanë pësuar humbje radhazi përballë skuadrave spanjolle.

“Nuk mendoj se është çështje e dobësisë së futbollit italian, por çështje e supremacisë së atij spanjoll. La Liga është një kampionat i fortë, më konkurrues, teksa edhe ekipi i renditur i fundit mund të të bëjë surpriza. Thjesht La Liga është më e fortë aktualisht”, shtoi francezi i Realit.

I pyetur për Ronaldon, ai theksoi se, gjithnjë sipas mendimit të tij, është e vështirë të imagjinosh Realin pa portugezin. “Për fat të mirë ai është lojtar i yni, e për këtë jemi të kënaqur. Shumë persona kujtojnë ende Di Stefanon, sikurse shumë persona do të kujtojnë gjatë Cristianon në të ardhmen”.

Top Channel