Erick Thohir është shumë pranë shitjes së klubit “DC United”, që militon në Major League Soccer. Lajmi publikohet nga “Bloomberg”, i specializuar në fushën e financave, sipas të cilit Thohir, i cili zotëron 78% të aksioneve të këtij klubi, është duke i mbyllur tratativat me miliarderin Patrick Soon Shiong.

Gjithnjë sipas “Bloomberg”, vlera e klubit të futbollit është 500 milionë dollarë dhe Thohir do të përfitojë nga shitja e kuotës së tij prej 78% të aksioneve, plot 390 milionë dollarë. Patrick Soon Shiong, që dikur ka qenë kirurg plastik, tashmë është sipermarrës dhe filantrop. Pasuria e tij vlerësohet të jetë 8.2 miliardë dollarë.

Soon Shiong ka mundur të blejë së fundmi edhe të përditshmet amerikane “Los Angeles Times” e “San Diego Tribune” për 500 milionë dollarë. Emri i Patrick Soon Shiong nuk është i panjohur për botën sportive, pasi ai zotëron edhe një kuotë aksionesh te skuadra e Los Angeles Lakers, në NBA, dhe tani i ka hedhur sytë nga futbolli, duke blerë shumicën e aksioneve të “DC United”.

Megjithatë, detajet e këtij transaksioni nuk janë ende të qarta. Sipas “Washington Post”, blerja e klubit do të bëhet nga një grup investitorësh të drejtuar nga Soon Shiong, që me sa duket do të lërë Thohir të zotërojë një kuotë të vogël aksionesh.

Ndërsa Jason Levien, partneri i Thohirit në aventurën e tij në MLS, jo vetëm që do ta mbajë kuotën e tij prej 22% të aksioneve në klub, por të mund të ruajë edhe rolin e tij aktiv te “DC United”.

Top Channel