Ka ardhur koha që Britania dhe aleatët e tyre të ndërmarrin veprime ushtarake me organizim dhe mbështetje të mirëfilltë, që të mos e lejojnë më Bashar al-Asadin t’i vrasë banorët e Sirisë sipas dëshirës.
Para se të ngrini duart e të kundërshtoni me tmerr një tjetër ndërhyrje të armatosur të perëndimit në Lindjen e Mesme, kini parasysh këto fakte: që nga viti 2011, kur kryengritja kundër regjimit të Asadit u kthye në luftë civile, çdo përpjekje tjetër ka dështuar. OKB ka provuar armëpushime, bisedime mes palëve në vend dhe negociata ndërkombëtare, por të gjitha kanë dështuar dhe numri i të vdekurve ka arritur në 500,000.
Ndërkohë që miliona civilë merrnin arratinë ose rrinin të bllokuar, BE dhe vende të tjera propozonin kuota pranimi të refugjatëve, korridore humanitare, qendra për strehim, zona ku të ndaloheshin fluturimet apo ku do të ulej numri i luftimeve. Asnjëra prej këtyre masave nuk e ka ndalur gjakderdhjen dhe mjerimin. Dhe Asadi nuk e mbyll me kaq. Radhën e ka provinca e Idlibit, e cila kontrollohet nga rebelët. Me miliona banorë po presin me tmerr që t’u vijë radha dhe atyre.
Në vitin 2013, Asadi përdori armë kimike me gaz sarin në Gutan perëndimore, ku vdiqën rreth 1700 njerëz. SHBA-të dështuan të vinin në zbatim atë që Barak Obama e quajti “vija e kuqe”. Obama u ndikua, sigurisht, edhe nga parlamenti britanik, që votoi kundër angazhimeve ushtarake në Siri në Gusht të atij viti. Që atëherë, duke shpërfillur garancitë e kota që jepte Rusia, regjimi i Asadit ka përdorur vazhdimisht armë kimike që kulmuan me sulmin e tmerrshëm në Duma. Vitin e shkuar Donald Trump tha se ishte trazuar aq shumë nga pamjet e fëmijëve të helmuar nga gazi, sa kishte urdhëruar një sulm të kufizuar me predha, të cilin Asadi e shpërfilli. Tani Trump duhet ta ketë kuptuar që një bombardim sa për t’u ndier mirë nuk është strategji.
Para se të thotë dikush që gazi klorin nuk është njësoj si agjentët nervorë, si sarini, kini parasysh se Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, të cilën e kemi dëgjuar të përmendet shpesh kohët e fundit, thotë që çdo lëndë e përdorur për sulme quhet “armë kimike”, sipas konventës së vitit 1997.
Thirrjet për të pritur sa të bëhet një tjetër hetim nga OKB janë vonesa të papërgjegjshme. Vetëm regjimi sirian dhe mbështetësit e tyre rusë kanë motivimin dhe armët e duhura për një sulm kaq të pamëshirshëm ndaj civilëve. Apo e kishin fantazuar gazin ata fëmijët që përpëliteshin në video?
Hetime të tilla nuk të çojnë gjëkundi, për sa i përket Sirisë. Një hetim i përbashkët midis OKB-s dhe Organizatës Kundër Armëve Kimike doli në përfundimin se sulmi kimik në Kan Shajkum ishte shkaktuar nga regjimi i Asadit. Por kur Këshilli i Sigurimit të OKB u mblodh për ta dënuar, Rusia i vendosi veto rezolutës, siç ka bërë vazhdimisht në lidhje me Sirinë.
Vendet perëndimore kanë ndërhyrë disa herë që nga viti 2011, por kryesisht për qëllimet e tyre. Interesi kryesor i Britanisë ishte çrrënjosja e Shtetit Islamik. SHBA ka mbështetur grupet rebele me kujdes, herë po, herë jo; si Forcat Demokratike Siriane të drejtuara nga kurdët. Javën e shkuar Trump tha se donte t’i tërhiqte plotësisht trupat nga Siria, edhe pse ISIS mbetet ende pa u shkatërruar.
Për Obamën, Siria është një njollë në historinë e tij. Njësoj siç njollosi Ruanda trashëgiminë e Bill Klintonit. Për udhëheqësit e sotëm botërorë, që nga Trump, Theresa May dhe Emmanuel Macron, ndalimi i masakrave në Siri është një detyrë morale që s’mund të anashkalohet më. Guta lindore është bërë si Srebrenica siriane. Është turpi ynë i përbashkët.
Nëse morali nuk mjafton si arsye, atëherë, shihni interesin. Ku ndryshon sulmi me armë kimike në Duma të Sirisë nga sulmi me armë kimike në Salisbëri të Anglisë? May ka theksuar me forcë se masat e marra ndaj Rusisë nuk janë thjesht për Skripalët, por për të gjitha veprimet skandaloze që Rusia ka bërë gjithandej. Siria është një shembull konkret i ndërhyrjeve të dëmshme të Rusisë.
Franca dhe Britania duhet të përdorin solidaritetin ndërkombëtar për të shtuar presionet ndaj Putinit në lidhje me Sirinë. Parisi dhe Londra duhet të bashkojnë forcat për të garantuar se Trump dhe “skifteri” i tij i ri, John Bolton, para se të nxitohen e të lëshojnë predha e fjalë të tjera, të bashkërendojnë veprimet e tyre me Francën dhe Anglinë, me pjesëmarrje dhe mbështetje të përbashkët.
Ndërhyrje ushtarake me organizim dhe mbështetje të mirëfilltë nuk do të thotë të dërgojmë forca këmbësorie në terren. Nuk do të thotë pushtim. Nuk do të thotë kolonizim për të ndërtuar kombin e ri apo për të ndryshuar kulturën e tyre. Do të thotë të shkatërrosh avionët bombardues të Asadit, helikopterët dhe burime të tjera ushtarake nëpërmjet sulmeve ajrore. Të sfidohet kontrolli i hapësirës ajrore që ka vendosur Asadi dhe Rusia. Do të thotë të largohen bazat ushtarake iraniane dhe bateritë e tyre bombarduese nga Siria, nëse përdoren për të vazhduar luftën. Do të thotë t’u përgjigjemi presionit të tyre kur të reagojnë, (dhe ata do të reagojnë), derisa Putini, bashkautorët e tij sirianë në këto krime si dhe komandantët e Gardës Revolucionare Iraniane ta marrin mesazhin, të ndiejnë dhimbjen e përshkallëzimit dhe të ndalojnë së vrari civilë në Duma, Salisbëri apo kudo tjetër.
Veprimet ushtarake mund t’i tregojnë edhe Izraelit që nuk është vetëm dhe që nuk është i lirë të bëjë ç’të dojë. Sulmet e tyre menjëherë pas ngjarjes nuk ishin hakmarrje për Dumën. Ishin një tjetër shfaqje force për luftën e pritshme me Iranin, Sirinë dhe Hezbollahun e Libanit. Një tjetër arsye e mirë për të ndërhyrë ushtarakisht është që ky konflikt i mundshëm në rajon të ndalohet që pa nisur.
Nuk mjafton të thuash që perëndimi s’ka ç’bën përpara vrasësve në masë. Mos jemi pa integritet tani? Nuk e shquajmë dot më të drejtën nga e gabuara? Një aleancë për ndërhyrje ushtarake, më mirë vonë se kurrë, nevojitet për të shmangur tmerre të tjera në të ardhmen, për të kursyer jetë të pafajshme, për të bllokuar helmin e mbrapshtë që ka nisur të gërryejë besimin e njerëzve në të drejtat e njeriut dhe në ligjin ndërkombëtar.
Simon Tisdall, The Guardian
Top Channel